Në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës, një filxhan café crème kushton mesatarisht 4.71 franga zvicerane, ndërsa një kapuçino 5.46 franga.
Sipas të dhënave të publikuara nga shoqata CafetierSuisse për vitin 2026, çmimet e këtyre pijeve janë rritur përkatësisht me 1.3 dhe 1.7 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Rritja e pagave, kostove të energjisë dhe qirave konsiderohet ndër faktorët kryesorë të shtrenjtimit, ndërsa dallimet e çmimeve ndërmjet kantoneve mbeten të konsiderueshme.
Vetëm 27 për qind e restoranteve dhe kafeneve kanë rritur çmimin e café crème, kryesisht me 20 centima. Ndërkohë, 68 për qind i kanë mbajtur çmimet e pandryshuara, ndërsa 5 për qind i kanë ulur ato, transmeton Telegrafi.
Ku kushton më shtrenjtë kafeja?
Në Zvicrën gjermanofolëse, çmimet më të larta regjistrohen në kantonet Zug dhe Zürich, ndërsa më të ulëtat në Uri, Thurgau dhe Schwyz. Diferenca mes kantonit më të shtrenjtë dhe atij më të lirë është 43 centima.
Në pjesën frankofone, çmimet janë dukshëm më të ulëta. Në Neuchâtel, një filxhan café crème kushton mesatarisht 3.78 franga, në Fribourg 4.33 franga, ndërsa në Gjenevë dhe Vaud rreth 4 franga.
Në kantonin Ticino, ku preferohet ekspresi, një filxhan i kësaj pijeje kushton mesatarisht 2.55 franga.
Sipas CafetierSuisse, çmimet më të ulëta në këto rajone lidhen me traditat franceze dhe italiane të konsumimit të kafesë.
Pagat, energjia dhe qiratë ndikojnë në çmime
Shtrenjtimi i kafesë në lokale lidhet kryesisht me rritjen e kostove operative të bizneseve.
Megjithëse kokrrat e kafesë janë më të shtrenjta krahasuar me mesataren afatgjatë, ndikimi i tyre në çmimin përfundimtar është më i vogël sesa ai i shpenzimeve të tjera.
Sipas përllogaritjeve të CafetierSuisse, nga një filxhan café crème që shitet për 4.50 franga, marzhi bruto mesatar është 2.80 franga. Nga kjo shumë, 1.80 franga shkojnë për kostot e punës, ndërsa pjesa e mbetur duhet të mbulojë qiranë, energjinë dhe administratën.
Ndryshimet klimatike ushtrojnë presion mbi tregun
Çmimi i kafesë së papërpunuar vazhdon të mbetet dukshëm mbi mesataren afatgjatë.
Edhe pse Brazili ka regjistruar këtë vit të korrat më të mëdha të kafesë në historinë e tij, kushtet e pafavorshme atmosferike kanë ndikuar në cilësinë e prodhimit.
Ndërkohë, prodhimi është në rënie në Kolumbi, Meksikë dhe vendet e Amerikës Qendrore, prej nga Zvicra importon sasi të konsiderueshme të kafesë së cilësisë së lartë.
Presion shtesë mbi çmimet ushtrojnë kostot e transportit, shtrenjtimi i energjisë dhe niveli i ulët i ujit në lumin Rajna, që vështirëson transportin e mallrave.
Shtohet konkurrenca mes kafeneve
Numri i bizneseve të gastronomisë në Zvicër po rritet, veçanërisht në qytete, ndërsa në zonat rurale vërehet një tendencë e kundërt.
Konkurrenca po shtohet edhe nga bizneset jashtë sektorit të gastronomisë. Sot, kafe ofrojnë edhe sallonet e flokëve, madje edhe disa ordinanca mjekësore.
Këto zhvillime po krijojnë sfida të reja për restorantet dhe kafenetë tradicionale zvicerane./Telegrafi/