Dyqanet në qendër të Frankfurtit janë plaçkitur të shtunën në mbrëmje, ndërsa protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe shkurtimeve të shpenzimeve publike janë shoqëruar me përleshje dhe dhunë në disa qytete të Gjermanisë.
Përveç Frankfurtit, incidente të dhunshme janë raportuar edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg. Policia ka përdorur topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë sulmuar ekipet e emergjencës me mjete piroteknike, gurë dhe shishe.
Protestat kishin nisur më herët gjatë ditës dhe në pjesën më të madhe ishin paqësore. Ato u organizuan nga grupi i fushatës “Gen Z regelt”, me pjesëmarrjen e mijëra personave, për të kundërshtuar mungesën e financimit në shkolla, koston e lartë të jetesës, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak, raporton BBC.
Trazirat në Gjermani vijnë pas protestave masive të udhëhequra nga të rinjtë në Francë, ku të shtunën demonstruan më shumë se 320 mijë persona.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, ka thënë të dielën për gazetën “Bild” se policia kishte parandaluar gjatë natës shpërthimin e një dhune të ngjashme me atë që është parë në Paris javët e fundit. Ai ka kërkuar ndëshkime të ashpra për personat që kanë marrë pjesë në trazira dhe plaçkitje.
Në Frankfurt, policia ka mbyllur një pjesë të madhe të rrugës kryesore tregtare, ndërsa një zëdhënës i saj ka konfirmuar se janë kryer arrestime të shumta.
Autoritetet në Frankfurt, Munih dhe Berlin kanë raportuar për deri në 18 mijë protestues, rreth gjysma e numrit që organizatorët kishin parashikuar. Megjithatë, mediat gjermane raportojnë se dhjetëra mijëra persona kanë marrë pjesë në protesta në qytete të ndryshme të vendit.
Zëdhënësja e grupit organizator, Lina Friedrich, ka thënë se protestat synonin të kërkonin paqe dhe liri, e jo luftë dhe detyrim. Ajo ka theksuar se kërkesat kryesore të të rinjve lidhen me mbështetjen më të madhe për sistemet shëndetësore dhe arsimore, kundërshtimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe shpërndarjen më të drejtë të barrës financiare.
Policia e Frankfurtit ka njoftuar se gjatë natës në qendër të qytetit kanë shpërthyer “trazira të dhunshme”, për çka janë angazhuar njësi të posaçme policore.
Sipas autoriteteve, janë thyer xhamat e disa dyqaneve, ndërsa ndaj ekipeve të emergjencës janë hedhur edhe koktej molotovi. Gjithashtu, është thyer vitrina e një dyqani armësh. Pas arrestimit të një të dyshuari, policia ka sekuestruar dy armë. Disa persona kanë hyrë edhe në dyqane të tjera, nga të cilat kanë vjedhur produkte, përfshirë atlete.
Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Roman Poseck, ku Frankfurti është qyteti më i madh, ka deklaruar se rreth 100 ekstremistë të majtë, të identifikuar qartë, kishin depërtuar në protestë. Ai i ka cilësuar si të turpshme mënyrën se si përfunduan demonstratat.
Incidente të ngjashme janë raportuar edhe në qytete të tjera. Në Këln, policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë janë sulmuar pranë stacionit kryesor të trenit, ku ndaj tyre janë hedhur shishe dhe një biçikletë.
Shefi i Policisë së Këlnit, Johannes Hermanns, ka thënë se është thellësisht për të ardhur keq që protestat e të rinjve, të cilët dëshironin të shprehnin shqetësimet për të ardhmen e tyre në mënyrë paqësore, janë shfrytëzuar nga ekstremistë që synonin dhunën.
Ndërkaq, një protestë më e vogël në mbrëmje në Berlin, pas demonstratave më të mëdha gjatë ditës, përfundoi me 27 zyrtarë policorë të lënduar dhe deri në 56 persona të ndaluar përkohësisht.
Në Hamburg, persona të veshur me të zeza kanë hedhur mjete piroteknike dhe kanë vënë zjarrin në barrikada. Sipas transmetuesit publik NDR, në këtë qytet janë arrestuar 120 persona.
Protestat në Gjermani u zhvilluan në të njëjtën ditë me demonstrata të tjera të mëdha në disa vende të Evropës.
Burimi: Dukagjini
