Platforma “Liria ka Emër” i drejtohet deputetëve të Parlamentit Evropian, kërkon shqyrtimin e shqetësimeve për Specialen

Platforma “Liria ka Emër” i drejtohet deputetëve të Parlamentit Evropian, kërkon shqyrtimin e shqetësimeve për Specialen

Written by

in

Platforma qytetare “Liria ka Emër” i është drejtuar me një letër zyrtare deputetëve të Parlamentit Evropian, Komisionit për Punë të Jashtme (AFET), Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut (DROI), Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), duke kërkuar veprim institucional lidhur me parregullsitë procedurale dhe shqetësimet për të drejtat e njeriut në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në letrën e “Liria ka Emër” që e ka siguruar Dukagjini, kërkohet që institucionet evropiane të shqyrtojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse funksionimin e Gjykatës Speciale, duke ngritur një sërë çështjesh që lidhen me proceset gjyqësore, trajtimin e çlirimtarëve dhe respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë.

Një prej çështjeve që ngre platforma është mospërfshirja e pretendimeve për trafikim të organeve në aktakuzën ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonëse këto pretendime ishin ndër çështjet kryesore të raportit të Dick Marty-t, i cili ndikoi në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale.

Në letër vlerësohet se kjo mospërputhje ka ndikuar në besimin e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë në Kosovë ndaj këtij mekanizmi gjyqësor dhe kërkon nga institucionet evropiane një shpjegim institucional për këtë çështje.

Në letër, “Liria ka Emër” ngre shqetësime edhe për kohëzgjatjen e paraburgimit të të akuzuarve dhe kufizimet e vendosura gjatë proceseve gjyqësore, duke vlerësuar se këto kanë krijuar perceptimin e trajtimit të tyre si fajtorë para një vendimi përfundimtar.

Po ashtu, platforma shtron pyetje për llogaridhënien dhe mbikëqyrjen e mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë që kanë vepruar në Kosovë, përfshirë UNMIK-un, Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, EULEX-in dhe Dhomat e Specializuara.

Në këtë drejtim, platforma qytetare kërkon të dijë se cilat mekanizma kanë ushtruar mbikëqyrje efektive ndaj këtyre institucioneve dhe në çfarë mënyre qytetarët e Kosovës mund të kërkojnë llogaridhënie për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut dhe parregullsitë procedurale.

Platforma ka bërë të ditur se është e gatshme t’u ofrojë institucioneve evropiane dokumentacion dhe materiale që, sipas saj, mbështesin shqetësimet e ngritura. Në mesin e tyre përmenden korrespondenca elektronike që pretendohet se tregojnë kërkesa të gjyqtarëve për shqiptimin e dënimeve të motivuara politikisht, si dhe raste të dënimeve për të cilat janë ngritur shqetësime lidhur me identifikimin e viktimave.

Në mbështetje të shqetësimeve të saj, platforma i referohet edhe një raporti paraprak të pavarur të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), të përgatitur në prill të vitit 2026 me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës.

Sipas letrës, ky raport trajton çështje që lidhen me të drejtën për gjykim të drejtë, pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit, barazinë e palëve në procedurë, pranueshmërinë e provave, parimin e ligjshmërisë në të drejtën penale dhe llogaridhënien institucionale.

Në pjesën përmbyllëse të letrës, platforma thekson se nuk kërkon përjashtimin e askujt nga përgjegjësia individuale për krimet që mund të provohen, por kërkon që drejtësia të zbatohet në mënyrë universale dhe pa përzgjedhje.

“Ne nuk po kërkojmë imunitet për askënd; po kërkojmë garanci që askush të mos gjykohet jashtë standardeve universale të drejtësisë”, thuhet në letër.

Platforma gjithashtu thekson se procesi gjyqësor duhet të garantojë mundësi reale për mbrojtjen e të akuzuarve, shqyrtim të paanshëm të provave dhe vendimmarrje në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë.

“Liria e Kosovës nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Përgjegjësia penale është individuale, ndërsa drejtësia duhet të jetë universale”, thuhet më tej në përfundimin e letrës.

Në fund, “Liria ka Emër” i kërkon Parlamentit Evropian të mos mbetet vetëm vëzhgues i këtyre shqetësimeve, por të përdorë kompetencat e tij institucionale për të kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe respektim të të drejtave themelore.

Platforma ka kërkuar gjithashtu një përgjigje zyrtare nga institucionet evropiane dhe informacione për mundësinë e organizimit të një takimi me përfaqësuesit e saj.

“Kosova e njeh rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe nuk kërkon të përjashtojë askënd nga përgjegjësia individuale për krimet që janë vërtetuar. Megjithatë, ajo mban bindjen po aq të palëkundur se drejtësia nuk mund të jetë selektive, e mbyllur ndaj shqyrtimit, apo e përjashtuar nga vetë standardet që institucionet ndërkombëtare kanë ndihmuar t’i vendosin. Ne nuk kërkojmë që historia të gjykohet përmes prizmit të emocioneve, por gjithashtu nuk kërkojmë që ajo të shkëputet nga konteksti në të cilin është zhvilluar. Ne nuk kërkojmë imunitet për askënd; ne kërkojmë garanci që askush të mos gjykohet jashtë standardeve universale të drejtësisë. Liria e Kosovës nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Përgjegjësia penale është individuale, ndërsa drejtësia duhet të jetë universale. Ne presim që Parlamenti Evropian të mos mbetet thjesht një vëzhgues i këtyre shqetësimeve, por të ushtrojë kompetencat e tij institucionale për të kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe respektim të të drejtave themelore. Ne kërkojmë një përgjigje zyrtare dhe informacion lidhur me mundësinë e organizimit të një takimi me përfaqësuesit tanë”, thuhet në letër.

Burimi: Dukagjini