
Përplasjet mes pozitës dhe opozitës kanë shoqëruar diskutimin për rendin e ditës në Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Përplasje pati mes anëtarit të komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, dhe anëtarit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Rrahmani ngriti shqetësime lidhur me vonesën e Zyrës së Kryeministrit në dorëzimin e dokumenteve të kërkuara nga komisioni. Ai pretendoi se raportet e dërguara së fundmi nuk janë të nënshkruara nga ministritë përkatëse dhe se i gjithë procesi po shoqërohet me përpjekje për të penguar zbardhjen e përgjegjësive institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas Rrahmanit, Zyra e Kryeministrit i ka dërguar raportet vetëm një orë para mbledhjes, ndërsa ai ka vënë në pikëpyetje autenticitetin dhe vlefshmërinë e tyre.
“Është shqetësuese që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit, në vend që do të duhej ta ndihmonte këtë komision, që të zbardhnim gjithë dështimin e zinxhirit shtetëror, bëhet pengesë dhe manipulues i krejt kësaj”, ka thënë ai.
Rrahmani kritikoi edhe mënyrën se si ishte zhvilluar mbledhja e kaluar e komisionit, duke pretenduar se anëtarët e shumicës parlamentare kishin bllokuar iniciativat e opozitës për përfshirjen në planin e punës të kërkesave për dokumentacion nga Zyra e Kryeministrit.
“Aty e kanë përjashtuar Zyrën e Kryeministrit, e kanë futur një agjenci brenda Zyrës së Kryeministrit për të pasur qasje në ato dokumente. Dhe si i tillë, unë e shoh që qasja e këtij grupi parlamentar në përgjithësi është qasje duke u munduar me i mbuluar të metat dhe mos me zbardh dështimin në komplet zinxhirin shtetëror, ku ka dështuar shteti për me mbrojt jetën e një gruaje”, është shprehur ai.
Anëtari i PDK-së ka insistuar se komisioni duhet të kërkojë dokumentacion nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe se kërkesat e tilla duhet të respektohen brenda afateve të përcaktuara ligjore.
Ai ka bërë të ditur se Zyrës së Kryeministrit i është dhënë afat prej tri ditësh për dorëzimin e dokumenteve, por sipas tij, ky afat nuk është respektuar.
Pas deklarimeve të Rrahmanit, ka reaguar anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Ai ka pranuar se në komision mund të ketë diskutime politike, por ka theksuar se ato nuk duhet të pengojnë punën hetimore dhe profesionale për zbardhjen e rastit.
“Unë jam këtu për të trajtuar profesionalisht çdo mekanizëm, çdo veprim, çdo mosveprim e çdo mospërmbushje të detyrimeve ligjore të secilës hallkë institucionale. Personalisht jam për këtë, duke filluar nga përgjegjësitë te prokuroria, te policia, te gjykata, te ministria përkatëse, siç edhe janë pjesë e planit të punës”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka kundërshtuar atë që e ka cilësuar si përpjekje për politizimin e rastit dhe përfitimin e kapitalit politik individual nga një tragjedi e tillë.
“Po një qasje që e kam vërejtur, që ky komision me filluar dhe me përfunduar te politizimi, kjo është e papranueshme. Dhe po e them që këtu, në këtë mbledhje, askush nuk do të arrijë ta pengojë punën hetimore, profesionale të këtij komisioni. Në rregull, le të bëjnë politikë, por punën s’mund ta pengojë askush”, ka theksuar Rrustemi.
Burimi: Insajderi