
Një 24-vjeçar, shtetas shqiptar me banim në Shqipëri, ka rënë në prangat e Policisë kantonale të Ticinos në Zvicër, pasi një shkelje e rëndë në trafik zbuloi veprimtarinë e tij të dyshuar me lëndë narkotike, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të enjten e kaluar, më 19 nëntor, në zonën e Arbedos, kur një patrullë e Policisë kantonale ka ndaluar të riun pasi u kap duke drejtuar veturën e tij në drejtim të kundërt në pjesën e daljes së autostradës A2.
Pas ndalimit, autoritetet zvicerane kanë ushtruar kontrolle të detajuara në automjetin me targa ticinese, si dhe në një apartament në zonën e Luganos ku po qëndronte i dyshuari. Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar disa dhjetëra gramë kokainë, si dhe një shumë parash në franga zvicerane dhe euro.
Në këtë operacion, i cili u finalizua me arrestimin e 24-vjeçarit, ka asistuar edhe Shërbimi antidrogë i Policisë së qytetit të Luganos, ndërsa lajmi është konfirmuar zyrtarisht sot, më 23 nëntor, nga Ministria Publike dhe Policia kantonale.
Ndaj të riut shqiptar tashmë rëndojnë dyshimet e bazuara për kryerjen e dy veprave penale: shkelje e rëndë e Ligjit federal për narkotikët dhe shkelje e Ligjit federal për qarkullimin rrugor.
Rasti është duke u trajtuar dhe hetuar nën koordinimin e prokurorit publik, Roberto Ruggeri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali