Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik gjatë sezonit dimëror

Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar në trafik gjatë sezonit dimëror

Written by

in

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, nga 15 nëntori deri më 15 mars, të gjithë drejtuesit e automjeteve janë të obliguar të posedojnë pajisjet dimërore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Policia u ka bërë thirrje shoferëve që, krahas pajisjeve dimërore, të kontrollojnë edhe gjendjen teknike të automjeteve, veçanërisht sistemin e frenimit, ndriçimin, fshirëset e xhamave dhe sistemin e ngrohjes.

Në apel, drejtuesve të automjeteve u rekomandohet që shpejtësinë ta përshtatin me kushtet e rrugës dhe të motit, të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve dhe të shmangin frenimet apo manovrimet e papritura.

Po ashtu, Policia rikujton rëndësinë e mospërdorimit të telefonave mobilë gjatë drejtimit të automjetit, shmangien e udhëtimeve të panevojshme gjatë motit të ligë, si dhe kujdesin e veçantë ndaj këmbësorëve, sidomos fëmijëve, të moshuarve dhe personave me nevoja të veçanta.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe menaxhimin e trafikut rrugor, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Në fund të apelit, Policia ka theksuar se asnjë udhëtim nuk është më i rëndësishëm se jeta, duke u bërë thirrje qytetarëve për përgjegjësi dhe respektim të rregullave të trafikut gjatë gjithë sezonit dimëror.

Burimi: RTKLive