Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikshme

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikshme

Written by

in

Policia e Shtetit në Shqipëri ka reaguar pas akteve të dhunës gjatë protestës së sotme, duke thënë se punonjësit e saj janë përballur me sulme të vazhdueshme që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.

Përmes një deklarate publike, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private.

Gjithashtu, qytetarëve u është kërkuar të shmangin zonat ku po ndodhin akte dhune dhe të mos përfshihen në veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Policia ka theksuar se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj, por ka paralajmëruar se dhuna dhe sulmet ndaj punonjësve të saj, si dhe dëmtimi i pronës publike e private, janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.

“Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Në fund, institucioni ka bërë të ditur se vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.