Autoritetet holandeze kanë ofruar një shpërblim rekord prej dy milionë eurosh për çdo informacion që do të çonte në arrestimin e Jos Leijdekkers, një prej personave më të kërkuar në Evropë.
35-vjeçari, i njohur edhe me nofkën “Bolle Jos” (Josi i shëndoshë), më herët është cilësuar nga policia holandeze si “një prej figurave kryesore në trafikun ndërkombëtar të kokainës”.
Duke komentuar vendimin për rritjen dhjetëfish të shpërblimit, ministri holandez i Drejtësisë, David van Weel, tha se kjo ishte “e nevojshme duke pasur parasysh kërcënimin që Leijdekkers paraqet për sigurinë kombëtare, shtetin demokratik të së drejtës dhe rendin juridik ndërkombëtar”.
Prokurorët holandezë e kanë cilësuar kapjen e tij si “prioritetin më të lartë”, ndërsa kanë garantuar se çdo informacion i dhënë nga qytetarët do të mbahet sekret.
Leijdekkers figuron në listën e personave më të kërkuar të Europolit, agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin policor, transmeton Telegrafi.
Në janar të vitit 2025, policia holandeze bëri të ditur se ai besohej të jetonte në Sierra Leone, ku përdorte emrin Omar Sherrif.
Më herët janë publikuar edhe fotografi që pretendohet se e paraqesin Leijdekkers në shoqërinë e presidentit të Sierra Leones, Julius Maada Bio, dhe zyrtarëve të tjerë të vendit.
Prokurorët holandezë kanë kërkuar ekstradimin e tij, por Sierra Leone ka refuzuar të bashkëpunojë. Kjo ka nxitur Bashkimin Evropian të ndërpresë një pjesë të ndihmës financiare për këtë shtet.
Afrika Perëndimore konsiderohet një pikë e rëndësishme tranziti për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt tregjeve të tjera.
Në vitin 2024, një gjykatë në Roterdam e dënoi Leijdekkersin në mungesë me 24 vjet burg, pasi e shpalli fajtor për kontrabandimin e më shumë se shtatë tonëve kokainë.
Ndaj tij janë duke u zhvilluar edhe disa hetime të tjera policore në Holandë.
Leijdekkers është dënuar gjithashtu me 79 vjet burg në Belgjikë. Autoritetet holandeze vlerësojnë se ai ka përfituar dhjetëra miliona euro nga trafikimi i kokainës, ndërsa e akuzojnë edhe për pastrim parash dhe përfshirje në përdorimin e dhunës ekstreme. /Telegrafi/