Policia irlandeze ka zbuluar dhe neutralizuar një pajisje shpërthyese në një ndërtesë zyrash në sheshin Merrion, në qendër të Dublinit, pranë Galerisë Kombëtare të Irlandës, ku një natë më parë ishte mbajtur darka zyrtare e liderëve pjesëmarrës në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), raporton Reuters.
Dukagjini ka mësuar jozyrtarisht se në këtë darkë ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte pjesë e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin.
Pajisja u zbulua të premten pasdite, ndërsa ekspertët e ushtrisë irlandeze për çaktivizimin e bombave u angazhuan për ta neutralizuar atë.
Policia irlandeze bëri të ditur se ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese e kishte bërë të sigurt pajisjen, të cilën e përshkroi si të improvizuar, por funksionale. Autoritetet kanë nisur hetimet për rastin, ndërsa nuk kanë dhënë detaje se kur mund të jetë vendosur pajisja apo informacione të tjera lidhur me të.
Në darkën e së enjtes në Galerinë Kombëtare të Irlandës morën pjesë liderë të ndryshëm botërorë. Reuters ka përmendur në mesin e tyre presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Andy Burnham, dhe kryeministrin kanadez, Mark Carney.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndonëse mori pjesë në samit, nuk ishte i pranishëm në darkë, pasi në atë kohë zhvillonte një takim me të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, jashtë Dublinit.
Samiti dyditor në Irlandë u shoqërua me masa të gjera sigurie. Policia irlandeze e kishte cilësuar operacionin e sigurisë si më të madhin që ka ndërmarrë ndonjëherë për një ngjarje të tillë.
Burimi: Dukagjini
