Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, nuk dihet për të nga 2 korriku i këtij viti

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, nuk dihet për të nga 2 korriku i këtij viti

Written by

in

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët bashkëpunim për gjetjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948.

Policia bëri të ditur që nga raportimi për këtë rast më 2 korrik të këtij viti, institucionet përkatëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative për lokalizimin e tij.

“Në kuadër të kërkimeve, Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorinë kompetente, Njësitin për Kërkim-Shpëtim të FSK-së dhe në bashkëpunim me familjarët, ka intervistuar persona që mund të kenë informacione të rëndësishme, ka verifikuar hyrje-daljet në pikat kufitare dhe ka zhvilluar kërkime intensive në zonat që personi i frekuentonte zakonisht.

Po ashtu, janë analizuar dhe verifikuar informacione të ndryshme lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e mundshme të tij, si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera policore dhe hetimore.

Megjithatë, pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve, Xhafer Raqi ende nuk është lokalizuar.

Pas autorizimit nga prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione që mund të ndihmojnë në gjetjen e tij, t’i ndajnë ato me organet e rendit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/