Policia kontrollon lokalin “Redbull” në Mitrovicën e Veriut – Nemanja Savicit i gjendet marihuanë në çantë, procedohet penalisht

Written by

in

Policia kontrollon lokalin “Redbull” në Mitrovicën e Veriut – Nemanja Savicit i gjendet marihuanë në çantë, procedohet penalisht

Një kontroll policor brenda lokalit “Redbull” në Mitrovicën e Veriut ka përfunduar me gjetjen e një sasie të dyshuar marihuane në çantën e një personi, ndaj të cilit janë iniciuar procedurat për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Nemanja Savicin, rreth 28-vjeçar, i cili është kontrolluar gjatë një aktiviteti policor në rrugën “Isa Boletini”, mbrëmjen e së premtes, më 30 tetor.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rreth orës 20:40, njësitë policore kanë zhvilluar një kontroll në lokalin “Redbull”, ku gjatë verifikimeve është kontrolluar edhe çanta e Savicit.

Brenda saj është gjetur një sasi prej 0.63 gramësh substancë të dyshuar marihuanë.

Gjetja ka bërë që rasti të marrë trajtim nga hetuesit policorë, të cilët kanë ndërmarrë procedurat e nevojshme për dokumentimin e substancës së dyshuar narkotike.

Pas intervistimit të Savicit dhe konsultimit me organet kompetente, është vendosur që ai të lirohet në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Hetimet do të vazhdojnë për sqarimin e rrethanave të rastit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali