
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të gjedheve në zonën kufitare me Serbinë, në Komunën e Kamenicës, ku ka ndaluar një kamion me shtatë krerë gjedhe. Shoferi, i cili tashmë është identifikuar, është larguar nga vendi i ngjarjes duke e braktisur automjetin, ndërsa shtatë krerë të tjerë gjedhe janë gjetur në një stallë në fshatin Muqivercë dhe janë sekuestruar.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni është realizuar më 20 tetor, në kuadër të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, nga Njësiti i Task Forcës së DRK-Jugu dhe Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Stacionin Policor për Menaxhim Kufitar në Muqivërcë.
Pas sigurimit të informatave operative, njësitet e Policisë Kufitare kanë ndërmarrë një aksion në fshatrat e brezit kufitar Desivojcë–Sedllar, në Komunën e Kamenicës, ku kanë ndaluar një kamion të tipit “Mercedes”, i cili po lëvizte nga Serbia, përmes rrugëve malore, në drejtim të fshatit Sedllar.
Sipas Policisë, shoferi i kamionit, i cili tashmë është identifikuar, është larguar nga vendi i ngjarjes duke e lënë automjetin aty. Gjatë kontrollit të kamionit, zyrtarët policorë kanë zbuluar shtatë krerë gjedhe.
Ndërkohë, pas veprimeve operative dhe hetimeve intensive, është konstatuar se i njëjti kamion kishte shkarkuar gjedhe në një stallë pranë rrugës, në fshatin Muqivercë të Kamenicës.
Me urdhër të prokurorit kompetent, është kontrolluar stalla, ku janë gjetur shtatë krerë gjedhe. Pas verifikimit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), kafshët janë sekuestruar dhe dërguar për verifikime të mëtejshme.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet operative dhe procedurale janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa rasti po trajtohet dhe hetohet nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare – NJHR Jugu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali