Policia përleshet me protestuesit e maskuar pas protestave kryesisht paqësore në Francë

Policia përleshet me protestuesit e maskuar pas protestave kryesisht paqësore në Francë

Written by

in

Përleshje mes protestuesve dhe policisë janë regjistruar të shtunën në Paris, Marsejë dhe qytete të tjera të Francës, pas protestave masive kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike.

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugë në valën e tretë të protestave në vend. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në demonstrata morën pjesë rreth 320 mijë persona, më pak se 410 mijë sa ishte vlerësuar numri i protestuesve fundjavën e kaluar. Vetëm në Paris marshuan rreth 70 mijë persona.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se rreth 150 demonstrata të organizuara në mbarë vendin kishin kaluar fillimisht në mënyrë paqësore, por në përfundim të tyre ishin regjistruar akte të rënda dhune, raporton The Guardian.

Në Paris, një pjesëtar i policisë për trazira u godit nga një koktej molotovi. Nuñez e cilësoi incidentin si një “tentativë vrasjeje”.

Gjatë mbrëmjes, policia përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese në disa qytete për të shpërndarë turmat, ku krahas protestuesve paqësorë ishin bashkuar edhe grupe personash të maskuar.

Ministria e Brendshme njoftoi se deri në orët e vona të së shtunës ishin arrestuar 565 persona në të gjithë vendin. Në Paris, katër policë dhe një pjesëtar i xhandarmërisë mbetën të lënduar.

Në kryeqytet, protesta nisi në mënyrë paqësore nga zona Porte de Bagnolet, ndërsa në fund të marshimit, pranë Porte de Charenton, dhjetëra persona të maskuar dhe të veshur me të zeza sulmuan policinë me gurë dhe mjete të tjera. Disa prej tyre përdorën çekiçë për të shkëputur gurët e trotuareve, të cilët më pas i hodhën në drejtim të forcave të rendit. Raportohet edhe për hedhjen e të paktën një mjeti ndezës.

Përleshje u regjistruan edhe në Lion, ku protestuesit hodhën mjete të forta në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Ndërkaq, në Tuluzë, policia përdori topa uji për të shpërndarë një protestë të paautorizuar, ku morën pjesë disa mijëra persona.

Në protesta morën pjesë nxënës, sindikata dhe pjesëtarë të lëvizjes “Jelekët e Verdhë”. Ata kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës, thellimin e pabarazisë dhe politikat e Qeverisë së Emmanuel Macronit.

Protestuesit kërkuan gjithashtu përmirësimin e kushteve në shkolla dhe më shumë mundësi që qytetarët të kenë ndikim në vendimmarrje.

Protestat e së shtunës vijnë dy javë pas trazirave dhe plaçkitjeve të përhapura në disa qytete franceze, gjatë valës së parë të protestave më 17 tetor, e cila u shndërrua në një nga ditët më të rënda të trazirave civile në historinë e fundit të Francës.

Ndërkohë, organizatat studentore kanë paralajmëruar bllokada të reja në shkolla të mesme dhe universitete të martën dhe të enjten. Studentët kanë bërë të ditur se më pas do t’i bashkohen protestës së 5 nëntorit, të thirrur nga punëtorët dhe sindikatat.

Protesta u mbajtën edhe në vende të tjera të Evropës. Në Gjermani, policia përdori topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën fishekzjarrë dhe mjete të tjera në drejtim të forcave të rendit, pas demonstratave të organizuara nga të rinjtë nën sloganin “Gen Z regelt!”.

Burimi: Dukagjini