Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 15 tetor 2026, pas pranimit të informacioneve për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve policorë në këto veprime.
Policia ka bërë të ditur se, pas trajtimit të informacioneve fillestare, e ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe është koordinuar me këtë institucion për sigurimin dhe dokumentimin e provave relevante.
“Në kuadër të këtij bashkëpunimi institucional, Policia e Kosovës ka siguruar dhe i ka dorëzuar Inspektoratit Policor të Kosovës provat dhe informacionet e kërkuara për trajtimin e mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, pala ankuese është udhëzuar që të paraqitet në IPK për të dhënë deklaratën para zyrtarëve të njësisë së hetimeve.
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, rekomandim të cilin e ka zbatuar menaxhmenti i Policisë së Kosovës.
Në të njëjtin njoftim, Policia ka bërë të ditur se edhe në rastin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan ka bashkëpunuar me IPK-në, të cilët janë suspenduar nga detyra.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies, duke shtuar se çdo informacion për sjellje të mundshme joprofesionale të zyrtarëve policorë do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Burimi: RTKLive
