Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane largohet nga detyra: Nuk po mund të shprehem lirshëm

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane largohet nga detyra: Nuk po mund të shprehem lirshëm

Written by

in

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, ka njoftuar se do të largohet nga detyra përpara përfundimit të mandatit të saj, duke thënë se dëshiron të ketë më shumë liri për t’u shprehur publikisht për çështje ekonomike dhe globale.

Lagarde, e cila mori drejtimin e BQE-së në vitin 2019, pritet ta përfundojë detyrën në shkurt të vitit 2027, disa muaj para përfundimit të mandatit të saj të rregullt.

Ajo ka shpjeguar se pozita e saj kërkon neutralitet të rreptë dhe e kufizon mundësinë për të komentuar çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me politikën monetare.

“Dua të kem lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes dhe lirinë për t’u angazhuar në çështje që nuk lidhen me politikën monetare”, është shprehur Lagarde.

Ajo ka theksuar se neutraliteti është pjesë e çmimit që paguhet për të garantuar pavarësinë e bankës qendrore, por ka shtuar se dëshiron të flasë më hapur për zhvillimet globale.

“Më intereson e vërteta dhe shoh se ajo shpesh dëmtohet dhe kundërshtohet nga paraqitjet e shtrembëruara të fakteve”, ka deklaruar ajo.

Largimi i saj hap procesin e përzgjedhjes së pasardhësit në krye të institucionit që përcakton politikën monetare për 20 vendet e eurozonës.

Ndër emrat e përmendur si kandidatë të mundshëm janë ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Holandës, Klaas Knot, bankieri spanjoll Pablo Hernández de Cos, presidenti i Bankës Qendrore të Gjermanisë, Joachim Nagel, si dhe presidentja e Bankës Evropiane të Investimeve, Nadia Calviño.

Presidenti i ri i BQE-së emërohet nga Këshilli Evropian, ku përfaqësohen krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Vendimi i Lagarde-s vjen gjithashtu në një periudhë të rëndësishme politike për Evropën. Sipas vlerësimeve të analistëve, largimi i saj përpara zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2027 mund të ndikojë në kohën dhe mënyrën e emërimit të pasardhësit të saj.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, mbetet në detyrë deri në përfundimin e mandatit të tij, ndërsa zgjedhjet presidenciale në Francë pritet të mbahen në pranverën e vitit 2027.

Gjatë drejtimit të Lagarde-s, BQE-ja është përballur me disa kriza të mëdha, përfshirë pandeminë COVID-19, pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë dhe presionet inflacioniste që kanë ndikuar në ekonominë evropiane.

Lagarde më parë ka drejtuar Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe është përmendur si kandidate e mundshme për të marrë drejtimin e Forumit Ekonomik Botëror, organizator i takimit vjetor në Davos. /Telegrafi/