
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka deklaruar se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ajo, duke iu referuar gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ajo i bëri këto komente në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit.
Në fjalimin e saj, Shiroka Pula vlerësoi rëndësinë historike të kësaj date, duke theksuar se flamuri kuq e zi u bë simbol i qëndresës dhe i luftës çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit të Presidencës, ajo rikujtoi se 28 Nëntori shënon katër ngjarje të rëndësishme: Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Presidentja vlerësoi sakrificën e familjes Jashari, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, ajo tha se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta mohojë të drejtën e Kosovës për liri dhe sakrificën e bërë për të.
Ndryshe, më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë i dënoi ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte.
Në të njëjtën pritje, Shiroka Pula përgëzoi Shqipërinë për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe bëri thirrje për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Ajo theksoi se flamuri që valëvitet sot është amanet i brezave që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për të, ndërsa kërkoi më shumë integrim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali