
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Dux, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, mbështetjen hungareze për Kosovën dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti që nga periudha e luftës, gjatë procesit të shtetndërtimit dhe në përpjekjet për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, një nga çështjet e ngritura në takim ishte edhe rëndësia e vazhdimit të mbështetjes së Hungarisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për avancimin e perspektivës evropiane të vendit.
Presidentja theksoi gjithashtu rëndësinë e përkrahjes për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy shteteve. Shiroka Pula vuri në pah nevojën për zbatimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik dhe organizimin e takimit të radhës të Komisionit të Përbashkët Ekonomik.
