Presion i padrejtë dhe tendencë për të heshtur zërat kundërshtues: Kritikohet kërkesa britanike për Specialen

Presion i padrejtë dhe tendencë për të heshtur zërat kundërshtues: Kritikohet kërkesa britanike për Specialen

Written by

in

Avokati Skender Musa e ka cilësuar si të padrejtë letrën e kryeministrit britanik, Andy Burnham, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën kërkohet respektimi i mandatit të plotë të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësime lidhur me mesazhin e përcjellë përmes kësaj letre, duke vlerësuar se thirrjet për të mos ndërhyrë në punën e gjykatës mund të shndërrohen në kufizim të debatit publik dhe të zërave kundërshtues ndaj saj.

I ftuar në Five në TV Dukagjini, Musa ka thënë se letrën nuk e konsideron si presion të drejtpërdrejtë, por si kërkesë që Kosova të mos ndërhyjë në punën e gjykatës.

Megjithatë, ai e ka vlerësuar si të padrejtë një kërkesë të tillë, pasi, sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë ndërhyrë në punën juridike të Speciales dhe nuk kanë pasur kontakte individuale me gjyqtarë apo prokurorë të saj.

“Në radhë të parë, letrën e kryeministrit të Britanisë së Madhe nuk e shoh si presion. Një kërkesë për të mos ndërhyrë në punën e gjykatës. Në fakt, Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërhyrë në aspektin juridik në punën e gjykatës. Nuk ka pasur asnjë tendencë as të kryeministrit apo të ministrave që të takohen me ndonjë gjyqtar në mënyrë individuale, qoftë me prokurorë. E konsideroj një letër të padrejtë. Po i bëhet presion i padrejtë Kosovës”, ka deklaruar Musa.

Avokati ka bërë një krahasim me veprimet e zyrtarëve serbë, duke pretenduar se përfaqësues të institucioneve të Serbisë, kanë kontaktuar me prokurorë dhe hetues të Speciales për përgatitjen e dëshmitarëve kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Për shkak se përderisa zyrtarët serb dhe ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, Policia, kryeprokurori kanë kontaktuar me prokurorë dhe hetues të Speciales për të përgatitur dëshmitarë shqiptarë kundër liderëve të UÇK-së. Qeveria e Kosovës, Prokuroria, Policia e ka zbatuar të gjitha rregullat e një procedurë demokratike, por nuk kanë ndërhyrë dhe komunikuar me asnjë prokuror“.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se kur të tjerëve u kërkohet të mos flasin për çështje gjyqësore me arsyetimin se mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës, kjo mund të krijojë një klimë që i pengon zërat kundërshtues ndaj Speciales dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj saj.

Në Five, Qelaj ka vlerësuar se adresimi i kryeministrit britanik mund të lidhet me miratimin dhe më pas tërheqjen e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pasi një veprim i tillë mund të shihet si rrezik për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në gjykatë.

Megjithatë, ai ka kritikuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, duke thënë se qytetarët dhe institucionet nuk duhet të heshtin përballë një gjykate, standardet e së cilës, sipas tij, nuk janë bërë mjaftueshëm të qarta.

“Unë mendoj që mungesa e transparencës e llogaridhënies, tash tendenca për të na heshtur, me na e mbyllë gojën para një gjykate që nuk dimë se cilin standard ka vendosur dhe çfarë standardesh është bazuar kur ka marrë ose zbaton procedurat gjyqësore, mendoj që është në kundërshtim me vlerat e demokracisë dhe nuk është në vlerat evropiane të cilat evropianët i proklamojnë”, ka deklaruar Qelaj.

Deklaratat e tyre vijnë pasi kryeministri britanik, Andy Burnham, në një letër urimi drejtuar Albin Kurtit, ka inkurajuar Kosovën që të respektojë mandatin e plotë të Dhomave të Specializuara, duke e cilësuar këtë si dëshmi të pjekurisë demokratike dhe përkushtimit ndaj drejtësisë së pavarur dhe të paanshme.

Letra vjen pas ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara në Kuvendin e Kosovës në fillim të tetorit, të cilat kanë ngritur shqetësime te përfaqësuesit evropianë lidhur me respektimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe pavarësinë e gjykatës.

Burimi: Dukagjini