Disidenti politik serb, Boban Bogdanoviq, ka pretenduar se Milan Radoiçiqi, organizatori i sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës, ndodhet në territorin e Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.
Në një deklaratë për gazetën Slobodna Bosna, Bogdanoviqi ka kërkuar nga drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës (OSA), Almir Gjuvo, të sqarojë nëse institucionet kanë informacione për vendndodhjen dhe lëvizjet e Radoiçiqit.
Pretendimi vjen në një kohë kur autoritetet boshnjake u kanë ndaluar hyrjen në vend Radoiçiqit dhe disa personave të tjerë nga Serbia, përfshirë vëllezërit Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, të cilët konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare.
Sipas raportimeve të Slobodna Bosna, vendimi hyri në fuqi më 13 nëntor, ndërsa dy ditë më vonë Radoiçiqi nuk u paraqit në stacionin policor në Beograd, siç e kishte detyrim sipas masës së caktuar nga gjykata.
Më 17 nëntor, Gjykata e Lartë në Beograd lëshoi fletarrestim ndaj tij, pasi kishte shkelur masën e ndalimit të largimit nga vendbanimi.
Bogdanoviqi ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si OSA e ka trajtuar këtë çështje, duke kërkuar të sqarohet nëse agjencia kishte informacione për praninë e vëllezërve Veselinoviq në Sarajevë para largimit të tyre.
Ai ka kërkuar përgjigje edhe për pretendimin se Radoiçiqi ndodhet në Republikën Sërpska, duke pyetur nëse shërbimet e inteligjencës kanë informacione për lëvizjet dhe kontaktet e tij dhe nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret.
“Nëse OSA kishte informacione, por nuk ndërhyri, atëherë vihet në pikëpyetje aftësia e saj operative. Nëse nuk kishte informacione, atëherë vihet në pikëpyetje aftësia e saj për mbledhjen e inteligjencës”, deklaroi Bogdanoviqi.
Ai kërkoi që drejtori i OSA-s, Almir Gjuvo, të japë përgjigje për këto çështje, duke theksuar se vendimet e institucioneve të sigurisë duhet të shoqërohen me veprime konkrete dhe jo vetëm me deklarata publike.
Ndërkohë, pretendimet për vendndodhjen e Radoiçiqit nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Serbe ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nuk ka informacione që ai ka qëndruar apo ndodhet në territorin e këtij entiteti.
Madje, kjo ministri ka hedhur poshtë pretendimet se pjesëtarët e saj po i ofrojnë mbrojtje Radoiçiqit.
Radoiçiqi mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që më 24 shtator 2023 sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Në Kosovë, ai akuzohet si udhëheqës i grupit prej 45 personash të përfshirë në sulm, ndërsa në Serbi po hetohet për vepra penale që lidhen me furnizimin e paligjshëm me armë dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.
Vendndodhja e tij aktuale mbetet e panjohur, ndërsa autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim ndaj tij pasi nuk iu përgjigj detyrimit për t’u paraqitur në polici. /Telegrafi/