Princi Harry ka deklaruar se do të ishte i gatshëm t’i rikthehej shërbimit ushtarak nëse vendi i tij do të kishte nevojë për të, duke paralajmëruar se kërcënimi nga Rusia është një arsye për të cilën të gjithë duhet të jenë të shqetësuar.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike The Telegraph, të realizuar gjatë një vizite të paparalajmëruar në qytetin ukrainas të Lvivit, Duka i Sussex-it tha se ish-pjesëtarët e forcave të armatosura duhet të jenë të përgatitur për t’i shërbyer sërish vendit të tyre.
“Duhet të jemi të gjithë të shqetësuar, absolutisht. Dhe mendoj se duhet të jemi të përgatitur. Ata prej nesh që kanë shërbyer duhet të jenë të gatshëm të shërbejnë përsëri”, u shpreh ai.
Më tej, Harry theksoi se, nëse do t’i kërkohej të rikthehej në ushtri, do ta bënte këtë pa hezitim.
“Nëse do të më kërkohej të regjistrohesha përsëri dhe nëse do të kishte nevojë, atëherë do të isha 100 për qind aty për t’i shërbyer vendit tim, krah veteranëve dhe pjesëtarëve të tjerë të forcave të armatosura”, deklaroi princi.
(Foto: ITV/Shutterstock)
Harry shërbeu për një dekadë në ushtrinë britanike dhe realizoi dy misione në Afganistan, ku ishte pilot i helikopterëve Apache, përpara se t’i jepte fund karrierës ushtarake në vitin 2015.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për luftën në Ukrainë, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e vendit dhe duke thënë se Evropa është ndërgjegjësuar për kërcënimin që paraqet Rusia. Sipas tij, Britania dhe vendet e tjera nuk duhet ta konsiderojnë veten jashtë konfliktit vetëm pse nuk po përballen drejtpërdrejt me sulme ushtarake.
“Vetëm pse nuk ka dronë, plumba dhe raketa që po fluturojnë drejt nesh, nuk do të thotë se nuk jemi në luftë”, tha ai.
Duka i Sussex-it shprehu gjithashtu shqetësimin se Evropa mund të përçahet nga brenda, ndërsa bëri thirrje për rritjen e mbështetjes ndaj Ukrainës, në vend të zvogëlimit të saj.
– YouTube youtu.be
Në këtë vizitë, Harry mori pjesë edhe në aktivitetet përzgjedhëse të ekipit ukrainas për Lojërat Invictus 2027, të cilat do të mbahen në Birmingham të Britanisë së Madhe.
Ai foli edhe për nevojën e mbështetjes së veteranëve pas përfundimit të shërbimit ushtarak, duke bërë të ditur se po përgatit një projekt global që synon t’u krijojë atyre më shumë mundësi punësimi dhe të vërë në pah përvojën e aftësitë që kanë fituar gjatë shërbimit.
Princi Harry theksoi se përvoja e veteranëve shpesh nënvlerësohet dhe se shoqëria duhet t’i shohë ata si një burim të rëndësishëm talenti dhe profesionalizmi. /Telegrafi/