Pritet rritje e çmimit të ngrohjes qendrore në Shkup, Mickoski: Do të jetë e përballueshme për qytetarët

Pritet rritje e çmimit të ngrohjes qendrore në Shkup, Mickoski: Do të jetë e përballueshme për qytetarët

Written by

in

Pritet rritje e konsiderueshme e çmimit të ngrojes qendrore. Këtë e kërkojnë kompanitë që furnizojnë Shkupin me energji termike, por Qeveria do të përpiqet që kjo të mos ndodhë, edhe pse çmimet e gazit janë tre herë më të larta krahasuar me vitin e kaluar, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Ai nuk saktësoi se për sa përqind pritet të rritet çmimi i energjisë termike, por vetëm shpjegoi se rritja nuk do të jetë alarmante, por minimale dhe, siç theksoi, e përballueshme për qytetarët.

“Edhe me këtë rritje, do të jemi vendi me çmimet bindshëm më të ulëta të karburanteve, energjisë elektrike dhe ngrohjes në Evropë. Prioritet i Qeverisë është mbrojtja e standardit të jetesës, edhe pse situata me çmimet e energjisë është e rëndë dhe nuk e di deri kur do të mund të përballohet”, tha Mickoski.

Megjithatë, ai theksoi se do të përpiqen t’i rezistojnë presionit për aq kohë sa funksionojnë mekanizmat që kanë në dispozicion.

Mickoski tha se situata me çmimet e energjisë në Evropë është alarmante, se ato rriten çdo ditë dhe tashmë janë trefish më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, siç theksoi, Qeveria po bën gjithçka që është në fuqinë e saj që në Maqedoni të mos ketë shtrenjtim dhe vendi të mbetet me çmimet bindshëm më të ulëta në Evropë për naftën dizel dhe benzinën pa plumb, energjinë elektrike dhe ngrohjen.

Mickoski sqaroi se Qeveria ka përgatitur një model biznesi me EMV-në, përmes të cilit nuk do të kërkohet rritje e çmimit të energjisë elektrike, por fillimisht duhet të testohet nëse do të funksionojë.

“EMV-ja, në thirrjen publike të EVN Home, do të paraqesë një ofertë me të njëjtin çmim si vitin e kaluar, që do të thotë se nuk do të kërkojë rritje të çmimit. Por këtë nuk mund ta them për subjektet private që veprojnë sipas politikave të tyre të pavarura. Në fund të vitit 2027 do të synojmë fitimin që do ta realizonte EMV-ja. Ky është modeli i biznesit që kemi krijuar dhe tani duhet të shohim nëse do të funksionojë”, tha Mickoski.