
Mijëra përdorues në mbarë botën kanë raportuar probleme në qasjen në shërbimet e Apple, përfshirë App Store, iCloud dhe Apple Pay. Kompania ka bërë të ditur se ndërprerja është shkaktuar nga një përditësim i brendshëm i sistemeve të saj.
Problemet janë shfaqur më 17 nëntor, duke prekur disa nga shërbimet kryesore të kompanisë. Përdorues të shumtë kanë raportuar vështirësi në internet, ndërsa Apple ka konfirmuar se po punon për rikthimin e plotë të funksionimit të tyre.
Në një deklaratë për median “USA Today”, kompania ka bërë të ditur se një pjesë e madhe e sistemeve tashmë janë rikthyer në funksion.
“Shumë nga sistemet tona janë rikthyer në funksion pas disa ndërprerjeve të shkaktuara nga një përditësim i brendshëm këtë mëngjes. Po punojmë që edhe sistemet e mbetura të jenë funksionale sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Apple.
Në faqen zyrtare të statusit të sistemeve, Apple ka raportuar probleme me App Store, Apple Music, AppleCare në pajisje, si dhe me llogaritë iCloud dhe procesin e kyçjes në to.