
Dueli i shumëpritur mes dy boksierëve britanikë, Tyson Fury dhe Anthony Joshua, i planifikuar të zhvillohet muajin e ardhshëm në Cardiff, është vënë në pikëpyetje pas deklaratave të bashkëshortes së Furyt, Paris, lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
Në një dokumentar që pritet të publikohet së shpejti, Paris ka zbuluar se bashkëshorti i saj ka kaluar nëpër probleme serioze të shëndetit mendor, duke përmendur edhe skizofreninë.
Këto deklarata kanë ngritur pikëpyetje për mundësinë e zhvillimit të meçit, pasi rregulloret e Bordit Britanik të Kontrollit të Boksit (BBBofC) parashohin kufizime për pjesëmarrjen në gara të boksierëve me çrregullime të caktuara psikologjike.
Sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Robert Smith, ka bërë të ditur se autorizimi për të garuar varet nga vlerësimi mjekësor.
Fury, i cili në vitin 2016 kishte bërë publike diagnozën e çrregullimit bipolar, ka folur edhe më herët për betejat e tij me shëndetin mendor.
Në dokumentarin e ri, boksieri rrëfen për periudhat më të vështira të jetës së tij, përfshirë momentet kur kishte dëgjuar zëra që e nxisnin drejt vetëvrasjes.
Ndërkaq, Paris ka kujtuar edhe një episod të vitit 2016, kur Fury ishte dërguar në spital pas dyshimeve për sulm në zemër. Ajo ka përshkruar gjendjen e rënduar emocionale dhe mendimet paranojake që kishte përjetuar bashkëshorti i saj.
Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar nëse Fury do të marrë lejen për të boksuar kundër Joshuas. Gjendja e tij do të vlerësohet nga autoritetet mjekësore dhe sportive, të cilat do të vendosin nëse dueli mund të zhvillohet sipas planit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali