Profesionistët e sektorit të hotelerisë në Kosovë janë pajisur me certifikata ndërkombëtare, pasi kanë përfunduar programin e trajnimeve profesionale të realizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës (UTK), në bashkëpunim me Institutin Arsimor për Hoteleri dhe Akomodim në Amerikë (American Hotel & Lodging Educational Institute – AHLEI), shkruan Telegrafi.
Ceremonia e ndarjes së certifikatave u mbajt sot në Kosovë, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, përfaqësues amerikanë, si dhe përfaqësues të organizatës Swisscontact dhe të ftuar të tjerë.
Programi i trajnimeve, i realizuar në bashkëpunim me institutin amerikan AHLEI, ka për qëllim zhvillimin e aftësive profesionale, avancimin e standardeve të shërbimit dhe fuqizimin e industrisë së mikpritjes në Kosovë.
Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e këtij certifikimi për ngritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve, ndërsa njohuritë e fituara përmes trajnimeve u vlerësuan si të rëndësishme edhe për menaxhimin e situatave të ndryshme në sektorin e hotelerisë.
Në këtë kuadër, u vlerësua edhe mbështetja e Swisscontact-it në realizimin e programit.
Bashkëpunimi ndërmjet Unionit të Turizmit të Kosovës dhe institutit amerikan AHLEI synon të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe përafrimin e praktikave profesionale të sektorit të hotelerisë në Kosovë me standardet ndërkombëtare./Telegrafi/