
Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka takuar zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe trajtimin e rasteve të ndjeshme.
Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.