
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Rrahim Hotit, i dyshuar për vrasjen e rëndë të 18 nëntorit në Suharekë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Hoti dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin e automjeteve.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari kishte shtënë disa herë me armë zjarri të llojit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës S.D., fillimisht përmes xhamit të automjetit e më pas edhe pasi kishte hapur dyert e tij.
Nga të shtënat ishte rrezikuar edhe jeta e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Viktima fillimisht kishte marrë ndihmë mjekësore në QKMF-në e Suharekës, ndërsa më pas ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kishin konstatuar vdekjen e tij.
Pas rastit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë ishte lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia kishte gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës, dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërkaq, gjatë kontrollit të banesës ishin gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.
Një tjetër detaj i bërë publik nga Prokuroria është se Rrahim Hoti rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.
Për këto dy vepra penale, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Burimi: Insajderi