
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të arrestuar në rastin e sekuestrimit të rreth 136 kilogramëve marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, në kuadër të operacionit të koduar “Kufiri 2”.
Siç ka raportuar më herët Gazeta Sinjali, në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë katër persona, tre prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa i dyshuari i katërt, Jasir Bardi, ndodhet në arrati. Sinjali ka mësuar se të arrestuarit janë Avdush Nuhiu, rreth 33-vjeçar, Taulant Etemi, rreth 35-vjeçar, dhe Albina Cani, rreth 27-vjeçare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kërkesa për paraburgim është paraqitur ndaj A.N., shtetas i Maqedonisë së Veriut, si dhe T.E. dhe A.C., shtetas të Kosovës. Ata dyshohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa T.E. dyshohet edhe për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria ka zbardhur edhe rolet që dyshohet se kishte secili nga personat e përfshirë në transportimin e narkotikëve.
Sipas dyshimeve, A.N. dhe A.C. udhëtonin me një veturë të tipit “VW Tiguan”, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën përpara automjetit “Audi A6”, në të cilin transportohej lënda narkotike. Këtë të fundit dyshohet se e drejtonte T.E.
Ndërkaq, i dyshuari J.B., i cili ndodhet në arrati, dyshohet se kishte rolin e vëzhgimit të rrugës, duke lëvizur përpara automjeteve të tjera.
Prokuroria bën të ditur se, pas identifikimit të automjeteve dhe tentimit të ndalimit nga policia, T.E. nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë, por vazhdoi ikjen me shpejtësi të madhe.
Gjatë ndjekjes, ai dyshohet se shkaktoi një aksident trafiku, ku u lënduan dy persona. Më pas, në afërsi të lokalit “Milenium”, automjeti humbi kontrollin dhe, pas ndërhyrjes së policisë, T.E. u ndalua dhe u arrestua. Në veturë u gjet edhe substanca e dyshuar narkotike.
Gjatë aksionit, përveç rreth 136 kilogramëve marihuanë, janë sekuestruar edhe tri vetura, një motoçikletë katërrotëshe (ATV) dhe 680 euro para të gatshme.
Gazeta Sinjali ka raportuar më herët edhe për dyshimet se lënda narkotike ishte planifikuar të transportohej nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, drejt Turqisë, me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes. Po ashtu, në kuadër të hetimeve është përmendur edhe dyshimi për përfshirjen e një zyrtari policor.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa për tre të arrestuarit tashmë është kërkuar caktimi i paraburgimit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali