Prokuroria në Pejë sqaron veprimet institucionale para vrasjes së Arlinda Zekajt

Prokuroria në Pejë sqaron veprimet institucionale para vrasjes së Arlinda Zekajt

Written by

in

Në komunikatën për media, Prokuroria ka bërë të ditur se më 22 tetor, Kryeprokurorja e këtij institucioni kishte pranuar një kërkesë nga tashmë e ndjera Zekaj, përmes së cilës ajo kishte shprehur shqetësimet për trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e një urdhri gjyqësor.

“Pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja ka vlerësuar rrethanat e paraqitura dhe e ka adresuar çështjen te institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas këtij institucioni, njëkohësisht ishte iniciuar rast për hetimin e pretendimeve të Zekajt, me qëllim të vlerësimit nëse veprimet ose mosveprimet e personave zyrtarë të përmendur në kërkesë përmbanin elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë një vendim me të cilin ish-bashkëshorti i Zekajt ishte urdhëruar ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

Prokuroria ka theksuar se, sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës.

Në ditën kur Zekaj kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit.

Pas vlerësimit të situatës dhe rrezikut të mundshëm, prokurori kishte konsideruar se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund të rrezikonte jetën dhe sigurinë e saj. Për këtë arsye, sipas komunikatës, ishin kontaktuar vëllezërit e viktimës dhe ishte kërkuar që ajo të qëndronte te familjarët.

“Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë, me kërkesën e vetë Zekajt, ishte përpiluar edhe një shkresë zyrtare ku ishin paraqitur arsyet për vendimin që ajo të qëndronte te familjarët. Ajo kishte pranuar të shkonte te vëllezërit, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Pas vlerësimit të nivelit të rrezikut, prokurori i rastit dhe hetuesit policorë kishin vendosur që një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë gjatë kthimit të planifikuar të saj.

Prokuroria ka bërë të ditur se dje, në orën 19:48, Policia e Kosovës e kishte kontaktuar prokurorin kujdestar lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e Zekajt.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe vetë viktima. Për rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa ish-bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Zekajt i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Sipas komunikatës, ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi rreth orës 21:00.

“Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, për të përcjellë situatën dhe për të ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.

Prokuroria ka njoftuar gjithashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Në reagimin e saj, Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se pretendimet e paraqitura nga Zekaj ishin trajtuar me seriozitet dhe se ishin ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe për hetimin e përgjegjësive të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj”, thuhet në komunikatë.

Institucioni ka kërkuar që rasti të hetohet në mënyrë të plotë, objektive dhe profesionale, me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave dhe vlerësimit të përgjegjësive eventuale të personave të përfshirë.

Ndërkohë, sipas Prokurorisë, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit A.S., i cili ende nuk është arrestuar.

Burimi: RTKLive