
Prokuroria Speciale ka reaguar lidhur me raportimet për pushimin e hetimeve ndaj disa ministrave dhe ish-ministrave, duke mohuar se vendimet janë marrë si pasojë e ndryshimeve në udhëheqjen e këtij institucioni.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet ndaj ministres Fitore Pacolli dhe ish-ministrit Faton Peci janë pushuar nga i njëjti prokuror special që i kishte nisur ato.
“Ndërkaq, sa u përket F. P. dhe F. P., hetimet ndaj të cilëve ishin filluar më 04.07.2025, pas zhvillimit të hetimeve, po i njëjti prokuror special që kishte filluar ato, më 26.10.2026, ka vendosur për pushimin e tyre. Vendimet për pushimin e këtyre hetimeve janë marrë pas vlerësimit të provave dhe rrethanave konkrete të secilit rast, në përputhje me kriteret ligjore dhe jo si pasojë e ndryshimeve në udhëheqjen e institucionit”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë pushuar edhe ndaj ish-kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në dy raste të ndara.
Po ashtu, ky institucion ka njoftuar se është hedhur poshtë edhe kallëzimi penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Ndërkaq, sa i përket rastit të ish-ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, Prokuroria ka sqaruar se vendimi për pushimin e hetimeve është marrë më 11 shtator 2026, para ndryshimeve në udhëheqjen e institucionit.
Reagimi i Prokurorisë Speciale vjen edhe pas intervistimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të premten.
Në fund të komunikatës, Prokuroria ka garantuar se prokurorët kanë pavarësi të plotë profesionale dhe institucionale në hetimin dhe vendimmarrjen për rastet që trajtojnë, pa presion, ndikim apo ndërhyrje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali