Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me rastin e njohur si “Rasti i njëmilionëshit”, me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar një person për 48 orë.
Prokuroria Speciale thekson se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave relevante, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Duke pasur parasysh se hetimet janë në zhvillim, Prokuroria Speciale nuk do të japë detaje të tjera në këtë fazë, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, polici Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokaj dhe Ardit Laska, janë tre të dyshuarit tjerë në këtë rast, të cilët dyshohen për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.
Ndaj tre të lartpërmendurve të dyshuar për këtë rast, Gjykata e Apelit në prill ka marrë vendim për herë të tretë duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ndërkaq ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte refuzuar caktimi i masës së paraburgimit policit Kaziu, si dhe Ahmagjokajt dhe Laskas.
Çka thuhej në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj tre të dyshuave?
Ndërkaq, në kërkesën e Prokurorisë Speciale të përpiluar më 25 shkurt 2026, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përme aktiviteti kriminal, më 24 shkurt 2026 kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Merdar, me automjet të tipis ‘Sprinter’, të cilin e drejtonte pandehuri Ahmagjokaj, e në automjet ndodheshin edhe të pandehurit Kaziu dhe Laska.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë, pasi janë pyetur nëse posedonin diçka për deklarim, ata kanë deklaruar rrejshëm se nuk kishin asgjë për të deklaruar, me qëllim fshehjen dhe maskimin e burimit, dhe se pas kalimit të automjetit në skaner, janë vërejtur dendësi te theksuara dhe vijëzime jo të zakonshme në pjesën e poshtme të automjetit.
Ndërsa, thuhet se gjatë kontrollit të detajuar, nga zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duke përdorur pajisje teknike, në një hapësirë të modifikuar në bunker, brenda janë gjetur 18 pako me bankënota të prerjeve 10€, 20€, 50€, 100€ dhe 200€, në shumë të përgjithshme sipas vlerësimit fillestar rreth 1 milion euro.
Me këto veprime, thuhet se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë fshehur dhe maskuar, burimin dhe vendndodhjen e pasurisë që përbënte fitime nga aktivitet kriminal, kanë transportuar dhe tentuar t’i transferojne mjete financiare me qëllim paraqitjen e tyre si të ligjshme, kanë poseduar dhe ushtruar kontroll mbi këto mjete financiare, duke qenë në dijeni për origiinën e tyre të kundërligjshme.
Me këtë, të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 56, par.1, pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimi të Terrorizmit.
Aty thuhet se në deklaratën e dhënë para hetuesve doganorë, Ahmagjokaj deklaroi se s’kishte dijeni për paratë e gjetura në furgon.
Kurse, Kaziu thuhet se deklaroi që ishte nisur nga Tirana për në Gjermani me një furgon blu, të cilin e kishte ndryshuar në Kosovë me atë që u ndalua nga Dogana. Tha se furgonin e mori nga kompania, duke shtuar se nuk kishte dijeni për paratë e konfiskuara. Ndërkaq shtoi se kishte qëndruar një natë në Gjermani dhe më pas janë takuar me Ahmagjokajn, duke vazhduar udhëtimin për në Shqipëri.
Edhe Laska, sipas Prokurorisë, mohoi çdo lidhje me paratë e konfiskuara. Tha se më 23 shkurt u nisën bashkë me dy të padehurit tjerë nga Gjerania në Shqipëri.
Në kërkesë, Prokuroria kishte vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit: të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprave penale serioze, ekziston rreziku i ikjes në rast se lihen në liri, ekziston rreziku i asgjësimit, fshehjes apo ndryshimit ose falsifikimit të provave, dhe se pesha e veprës penale është e rëndë dhe ka rrezikshmëri të lartë shoqërore. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.