Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Shqipëri ka publikuar bilancin e personave që kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje dhe përdorim të gazit lotsjellës.
Sipas njoftimit zyrtar, në total 13 persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe në Spitalin Universitar të Traumës. Mes tyre janë protestues, përfaqësues të medias, efektivë policie dhe kalimtarë.
Në QSUT janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Dy prej tyre janë larguar pas konsultës me mjekët, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet në urgjencë.
Ndërkohë, në Spitalin e Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore edhe dy përfaqësuese të medias. Pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, të dyja janë larguar nga spitali, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital dhe do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga stafi shëndetësor./A2CNN
Burimi: Dukagjini
