Sipas njoftimit, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të 19-vjeçarit L. B. nga punonjësit e policisë.
“Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se është ngritur edhe një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të policisë, nga fillimi deri në përfundim të protestës, si dhe respektimin e procedurave standarde të punës.
“Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi”, thekson Policia e Shtetit.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet lidhur me rastin.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit është ndalur edhe te aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë protestës në kryeqytetin shqiptar.
“Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë”, thuhet në reagim.
Policia u ka bërë thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi që t’i ndalin menjëherë veprimet e tyre, duke paralajmëruar se do të përballen me ligjin.
Po ashtu, u ka kërkuar qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një video, e cila është bërë virale në mediat shqiptare dhe në rrjetet sociale, ku shihen disa punonjës policie duke tërhequr një të ri, i cili duket se është i lënduar dhe ka një këmbë të thyer.
Burimi: RTKLive
