Protesta në kërkim të drejtësisë dhe llogaridhënies institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt ka hyrë në ditën e gjashtë, në Prishtinë, me protestuesit që po kërkojnë përgjegjësi nga institucionet për mënyrën se si është trajtuar rasti.
Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve është trajtimi i femicidit si urgjencë kombëtare, si dhe hetimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve institucionalë që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.
Ata kërkojnë llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë, Policia e Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale, në rast se konstatohet se zyrtarët përkatës nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre në trajtimin e rastit.
Po ashtu, protestuesit kërkojnë sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe krijimin e mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave që janë në rrezik.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Vrasja e saj nxiti reagime të shumta publike dhe kërkesa për hetimin e përgjegjësisë institucionale.
Lidhur me këtë rast, Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve. /Telegrafi/