Avokati Besnik R. Berisha, mbrojtës i Gjon Kuzhninit, i është drejtuar publikisht Kryeprokurorit të Shtetit me kërkesë për veprim urgjent institucional lidhur me një fotografi të përdorur në dosjen penale të klientit të tij, për të cilën mbrojtja pretendon se është paraqitur në një kontekst të pavërtetë.
Berisha thotë se çështja tejkalon një mospajtim të zakonshëm mes mbrojtjes dhe Prokurorisë, pasi sipas tij ngre pikëpyetje serioze për integritetin e provave, mënyrën e verifikimit të tyre dhe përgjegjësinë institucionale.
“Kur drejtësia rrezikon të manipulohet me prova të rreme, heshtja nuk është më përmbajtje profesionale. Është rrezik për vetë drejtësinë.”
Në qendër të reagimit është Halim Kerzi, për të cilin Berisha kërkon që institucionet të verifikojnë identitetin, statusin juridik dhe informacionet e publikuara lidhur me të, pa i trajtuar ato si të vërteta pa verifikim.
Por elementi që mbrojtja e konsideron më shqetësues lidhet me një fotografi që Kerzi dyshohet se e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren për të mbështetur pretendimin se ishte rrëmbyer në Kosovë.
Sipas Berishës, mbrojtja ka identifikuar se e njëjta fotografi ishte publikuar vite më parë në mediat serbe, në kuadër të raportimeve për rrëmbimin dhe vrasjen e Goran Mihajloviqit dhe për krimet e lidhura me klanin e Veljko Belivukut.
Berisha pretendon se fotografia figuron në publikime që nga 15 qershori 2022, pra vite përpara ngjarjes për të cilën është përdorur në rastin në Kosovë.
“Nuk bëhet fjalë për një fotografi të ngjashme, por për të njëjtën fotografi”, ka deklaruar Berisha.
Sipas tij, fotografia është dorëzuar personalisht nga Halim Kerzi në Prokurori me pretendimin se e kishte pranuar përmes Facebook-ut. Berisha shton se, sipas deklarimeve publike të Kerzit, i njëjti material i ishte dërguar edhe gjyqtares së çështjes në numrin e saj privat përmes WhatsApp-it.
Avokati thekson se nuk pretendon se gjyqtarja është ndikuar apo ka vepruar në mënyrë të parregullt, por kërkon që të hetohet nëse dërgimi i një materiali të tillë jashtë kanaleve procedurale mund të ketë pasur për qëllim ndikimin në vendimmarrje.
Çështja bëhet edhe më serioze, sipas mbrojtjes, për faktin se fotografia është përdorur nga Prokuroria në mbështetje të kërkesës për caktimin e paraburgimit ndaj Gjon Kuzhninit.
“Një denoncues mund të tentojë ta mashtrojë drejtësinë. Detyra e Prokurorisë është ta zbulojë mashtrimin, jo t’i japë atij peshë provuese.”
Berisha kërkon nga Kryeprokurori i Shtetit që të sigurohet një vlerësim i pavarur institucional për mënyrën se si fotografia është pranuar, administruar dhe përdorur në procedurë.
Ai kërkon gjithashtu të hetohet nëse materiali është paraqitur me vetëdije në një kontekst të pavërtetë, të sqarohet statusi juridik i Kerzit dhe të përcaktohet çfarë peshe ka pasur fotografia në kërkesën për paraburgim.
Berisha ngre edhe pyetjen se si një material, origjina e të cilit sipas tij mund të verifikohej përmes një kërkimi publik në internet, ka përfunduar në një dosje penale dhe është përdorur në një procedurë që lidhet drejtpërdrejt me privimin e një personi nga liria.
Sipas tij, Gjykata Themelore në Prizren nuk kishte gjetur dyshim të bazuar për veprën e rrëmbimit, ndonëse kishte konstatuar dyshim për vepra të tjera, ndërsa pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit kishte caktuar paraburgimin.
Berisha sqaron se nuk pretendon që fotografia të ketë qenë prova vendimtare për vendimin e Apelit, por kërkon të përcaktohet qartë roli që ajo ka pasur në argumentimin e Prokurorisë.
“Nuk po ju kërkoj të besoni versionin e mbrojtjes pa verifikim. Po ju kërkoj të mos lejoni që ky zbulim të mbetet pa shqyrtim dhe, nëse konstatohen shkelje, pa përgjegjësi.”
Në fund, Berisha thekson se çështja nuk lidhet vetëm me interesin e Gjon Kuzhninit, por me standardin që duhet të vlejë për çdo qytetar që përballet me mundësinë e privimit nga liria.
“Drejtësia mund të mashtrohet nga një provë e rreme. Ajo që nuk mund t’i lejohet është ta pranojë si të vërtetë pa e verifikuar dhe ta lërë pa përgjigje kur origjina e saj zbulohet.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post “Prova që trondit rastin Kuzhnini” – Avokati Berisha i kërkon Kryeprokurorit hetim urgjent: Fotografia ishte publikuar në Serbi vite më parë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali