
Këngëtari Sinan Hoxha ka folur për mungesën e hiteve të mëdha dhe jetëgjata në industrinë muzikore, një fenomen që, sipas tij, nuk është i pranishëm vetëm në tregun shqiptar, por edhe në atë ndërkombëtar. I ftuar në emisionin “Ndryshe”, ai ka përmendur ndryshimet e shpejta në shoqëri, krizat, luftërat, zhvillimin e teknologjisë dhe ndikimin e rrjeteve sociale si disa nga faktorët që kanë ndikuar në mënyrën se si njerëzit e konsumojnë muzikën.
Duke folur për këtë fenomen, Hoxha ka vënë në dukje se edhe artistët ndërkombëtarë po mbështeten gjithnjë e më shumë te këngët e vjetra, ndërsa hitet e reja duket se nuk po arrijnë të kenë të njëjtën jetëgjatësi si dikur.
I pyetur se pse njerëzit nuk e dëgjojnë më muzikën si më parë, këngëtari ka dhënë një shpjegim duke u ndalur te ritmi i jetës dhe ndryshimet që kanë sjellë vitet e fundit.
“E kemi thënë, të gjitha këto gjëra që ka ndodhur vitet e fundit si kriza në vetvete, luftërat, zhvillimi i vrullshëm i rrjeteve sociale dhe teknologjisë kanë bërë atë që jeta të jetë më e shpejtë dhe më e vrullshme. Njerëzit mjaftohen me 15 sekonda të refrenit. Kanë halle të tjera, nuk kanë bukë për të ngrënë e s’kanë raki me pi. Nuk e kanë mendjen shumë tek këngët e këngëtarëve”, është shprehur Hoxha.
Megjithatë, këngëtari ka thënë se ndihet me fat për sukseset që ka arritur gjatë karrierës së tij muzikore, duke theksuar se ka realizuar një numër të madh hitesh që kanë mbetur të pëlqyera ndër vite.
Ai ka kujtuar që nga kënga e tij e parë, “Fotografia”, e cila sipas tij u shndërrua menjëherë në një hit të madh, e deri te balada “Mirupafshim”, e realizuar nga kompozitori Ilir Berani.
Hoxha ka përmendur gjithashtu disa prej bashkëpunimeve të tij më të suksesshme me emra të njohur të muzikës shqiptare.
“Megjithatë unë hy te këngëtarët me thënë të drejtën më falni për modestinë e tepruar, por jam një ndër këngëtarët që kam më shumë hite gjatë gjithë karrierës sime se sa gati gjysma e estradës. Është fat i madh në fakt, që kur e kam filluar karrierën time që këngën e parë të jetës sime ‘Fotografia’ ka qenë mega hit. Pastaj vij me një baladë tjetër të bërë nga Ilir Berani ‘Mirupafshim’, edhe ajo ka qenë hit të cilën e kam kënduar para 30 vitesh. Duke vazhduar më pas me bashkëpunime super të suksesshme si me Artiola Toskën, Soni Malajn, Ermal Fejzullahun, Shyrete Belulin, Anxhela Peristerin do harroj ndonjë do më bëjë namin…”, ka deklaruar ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali