Pse Trump vendosi të ndërpresë financimin e Izraelit? A është arsyeja El-Sayed, myslimani i parë që mund të hyjë në Senat?

Pse Trump vendosi të ndërpresë financimin e Izraelit? A është arsyeja El-Sayed, myslimani i parë që mund të hyjë në Senat?

Written by

in

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Izraelin, duke e lidhur vendimin me kritikat e kandidatit demokrat për Senat, Abdul El-Sayed, ndaj mbështetjes së pakushtëzuar amerikane për këtë vend.

Trump deklaroi se Izraeli nuk ka nevojë për ndihmën financiare amerikane dhe mund të blejë pajisje ushtarake me paratë e veta. Ai e vlerësoi ndihmën vjetore të SHBA-së për Izraelin në rreth katër miliardë dollarë.

Sipas CNN-it, ndihma amerikane arrin në rreth 3.8 miliardë dollarë në vit, prej të cilëve 3.3 miliardë përdoren për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, ndërsa 500 milionë dollarë shkojnë për programe të përbashkëta të mbrojtjes kundër raketave.

Njoftimi i Trumpit vjen në kohën kur në Miçigan po zhvillohet një garë e rëndësishme për Senatin amerikan. Kandidati demokrat Abdul El-Sayed, mjek dhe ekspert i shëndetit publik, synon të bëhet myslimani i parë në Senatin e SHBA-së.

El-Sayed kundërshton ndihmën e pakushtëzuar ushtarake për Izraelin dhe mbështet ndalimin e shitjes së armëve amerikane këtij vendi. Ai gjithashtu bën thirrje për sigurim shëndetësor publik për të gjithë amerikanët dhe për uljen e ndikimit të donatorëve të mëdhenj në politikë.

Trump e përmendi drejtpërdrejt El-Sayedin në deklaratën e tij, duke kritikuar atë dhe kundërshtarët e tjerë të ndihmës për Izraelin.

“Pse duhet t’i durojmë sulmet e të çmendurve si Abdul El-Sayed, kur Izraeli nuk ka nevojë për këto para?”, tha Trump.

Çështja e ndihmës për Izraelin ka shkaktuar përçarje edhe brenda Partisë Demokratike. Ish-kandidatja demokrate për Senat në Miçigan, Haley Stevens, e cila humbi zgjedhjet paraprake ndaj El-Sayedit, tërhoqi mbështetjen për të dhe përkrahu kandidatin republikan Mike Rogers.

Trump tha se ndërprerja e ndihmës do t’ia hiqte të majtës një argument elektoral dhe se paratë e kursyera mund të përdoreshin për të balancuar buxhetin federal amerikan. /Telegrafi/