PSG-ja gjen pasuesin e Kvaratskhelias, përgatit ofertën për yllin e Bayer Leverkusenit

PSG-ja gjen pasuesin e Kvaratskhelias, përgatit ofertën për yllin e Bayer Leverkusenit

Written by

in

PSG-ja ka nisur të mendojë për përforcimin e repartit ofensiv në afatin kalimtar të janarit, pas lëndimit të Khvicha Kvaratskhelias, ndërsa në listën e dëshirave të klubit francez është mesfushori ofensiv i Bayer Leverkusenit, Ibrahim Maza.

Sipas gazetarit Florian Plettenberg të SkySport, drejtuesit e Paris Saint-Germainit kanë kontaktuar me përfaqësuesit e futbollistit algjerian, duke ua bërë të ditur interesimin për transferimin e tij në afatin kalimtar të dimrit.

Kampionët francezë po kërkojnë një lojtar që mund të shtojë alternativat në fazën ofensive të skuadrës së trajnerit Luis Enrique dhe të ndihmojë në mbulimin e mungesës së Kvaratskhelias, i cili është jashtë fushave për shkak të një lëndimi në gju.

Maza, 20-vjeçar, ka pasur një fillim të mirë të sezonit 2026/27 me Bayer Leverkusenin, duke regjistruar tri gola dhe tri asistime në 10 paraqitje zyrtare.

Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të PSG-së, të cilët e shohin si një futbollist që mund t’i japë më shumë kreativitet dhe dinamizëm repartit ofensiv.

Megjithatë, Luis Enrique ka deklaruar publikisht se lëndimi i sulmuesit gjeorgjian nuk e detyron klubin të bëjë një transferim të ri.

Pavarësisht kësaj, trajneri spanjoll ka pranuar se drejtuesit e klubit po i përcjellin mundësitë në tregun e transferimeve.

Aftësia e Mazës për të luajtur në qendër, por edhe për t’u zhvendosur në krahë, është një nga arsyet që e bëjnë atë një profil interesant për kampionët francezë.

Në anën tjetër, Bayer Leverkuseni nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij në mes të sezonit. Klubi gjerman po përgatit një ofertë për vazhdimin e kontratës së futbollistit përtej qershorit të vitit 2030, me synimin për ta shpërblyer progresin e tij edhe përmes një rritjeje të pagës.

Drejtuesit e Leverkusenit synojnë ta mbajnë Mazën në skuadër, çka mund ta bëjë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për PSG-në.

Përfaqësuesit e futbollistit pritet të zhvillojnë takime me drejtuesit gjermanë gjatë nëntorit për të shqyrtuar ofertën e re të kontratës.

Sidoqoftë, PSG-ja mbetet e interesuar për shërbimet e 20-vjeçarit dhe mund të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij nëse negociatat për rinovimin e kontratës me Leverkusenin nuk përparojnë siç pritet.

Klubi francez synon ta shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së një oferte zyrtare që në afatin kalimtar të janarit. /Telegrafi/