“Punë shtesë pa kompensim adekuat” – shtatë gazetarë largohen nga Klan Kosova, reagon AGK-ja

“Punë shtesë pa kompensim adekuat” – shtatë gazetarë largohen nga Klan Kosova, reagon AGK-ja

Written by

in

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas largimit të menjëhershëm nga puna të shtatë gazetarëve të portalit klankosova.tv, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe trajtimin e punonjësve në këtë medium.

Gazetarët e larguar janë Genita Ukaj, Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum Gashi, Albert Bajrami, Kasim Gërbeshi dhe Endrit Krasniqi.

Sipas AGK-së, bazuar në deklaratën publike dhe komunikimet me gazetarët, largimet kanë ardhur si pasojë e kërkesës së drejtuesve të portalit për angazhim shtesë gjatë zhvillimit të një spektakli televiziv, pa kompensim adekuat.

AGK-ja ka shprehur keqardhje për largimin e gazetarëve, të cilët i ka cilësuar si profesionistë me përvojë disavjeçare në mediat e Kosovës, duke vlerësuar se ata janë detyruar të largohen për shkak të trajtimit të padinjitetshëm.

Sipas Asociacionit, ky rast dëshmon edhe një herë për ambientin e vështirë të punës me të cilin përballen gazetarët në shumë redaksi në Kosovë.

Në reagimin e saj, AGK-ja i ka bërë thirrje Klan Kosovës dhe mediave të tjera që të respektojnë dispozitat e Ligjit të Punës, si dhe të garantojnë zbatimin e të drejtave të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë.

Asociacioni ka shprehur solidaritet të plotë me shtatë gazetarët e larguar, duke u ofruar mbështetje për çdo nevojë, përfshirë edhe ndihmën ligjore.