Putin pranon përfshirjen e Evropës në raundin e ardhshëm të bisedimeve, thotë Witkoff

Putin pranon përfshirjen e Evropës në raundin e ardhshëm të bisedimeve, thotë Witkoff

Written by

in

I dërguari amerikan Steve Witkoff deklaron se Vladimir Putin ka rënë dakord që përfaqësuesit evropianë të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Evropianët do të bashkohen në takimin e radhës, të cilin e konsiderojmë një moment shumë të rëndësishëm, pasi ata janë partnerët tanë dhe është thelbësore për ne që të jenë të pranishëm”, ka thënë Witkoff për televizionin shtetëror rus, pas takimit me Putinin në Kremlin, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Jared Kushner, i cili u takua me liderin rus së bashku me Witkoff-in, i tha atij se kishte vënë re një “ndryshim të madh” te pala evropiane dhe shprehu besimin se përfshirja e tyre në bisedime nuk do të pengonte përparimin.

Putin u shpreh se nuk ka qenë kurrë kundër dialogut me Evropën, duke pretenduar: “Ishin ata që e ndërprenë dialogun me Federatën Ruse”.

“Do të dëshironim shumë që ju zotërinj, dhe administrata amerikane në tërësi, të punoni me aleatët tuaj evropianë, në mënyrë që ata më në fund të vendosin se çfarë duan: paqe apo luftë në Ukrainë”, citohet të ketë thënë Putin.

Megjithatë, ai paralajmëroi se ideja evropiane për dërgimin e trupave pas një marrëveshjeje paqeje do të çonte në rifillimin e menjëhershëm të luftës, pasi Rusia do ta shihte këtë si një kërcënim për sigurinë e saj.

Sipas Sky News, mbetet e paqartë se kush do ta përfaqësojë kontinentin në raundin e ardhshëm të bisedimeve – detajet për kohën dhe vendin e të cilave nuk janë bërë ende të ditura.

SHBA-ja dhe Volodymyr Zelensky kërkojnë që Evropa të caktojë një përfaqësues të vetëm për të negociuar me Moskën.

Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë tani drejt Dublinit për ta informuar liderin ukrainas mbi takimin e sotëm. /Telegrafi/