Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se pjesëmarrja e mundshme e presidentit rus Vladimir Putin në samitin e G20-s, që do të mbahet në dhjetor në Florida të SHBA-së, do të rrezikonte të legjitimonte veprimet e Rusisë në Ukrainë.
“Normalizimi i rikthimit të Rusisë në këto forume ndërkombëtare do të thotë normalizim i krimeve të luftës që po kryhen çdo ditë në Ukrainë”, deklaroi Kallas në një intervistë për Bloomberg TV.
Ajo theksoi se lufta e Rusisë bie ndesh me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, të cilat janë nënshkruar edhe nga vendet pjesëmarrëse në G20.
Putini ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në samitin e dhjetorit.
Hera e fundit që ai mori pjesë fizikisht në një takim të G20-s ishte në vitin 2019, përpara pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ndryshe, deklaratat e Kallas vijnë në një kohë kur vendet e BE-së kanë shprehur pakënaqësi për pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një takim ministror të G20-s në Atlanta.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, anuloi fotografinë tradicionale të përbashkët, pasi zyrtarët evropianë refuzuan të qëndronin pranë Lavrovit, i cili është nën sanksione ndërkombëtare.
Kallas tha se vendet evropiane nuk dëshirojnë të qëndrojnë pranë tij, por shtoi se prania e ministrit rus u dha mundësinë të kundërshtonin drejtpërdrejt atë që ajo i cilësoi si gënjeshtra të Moskës.
Shefja e diplomacisë evropiane e përshëndeti gjithashtu vendimin e SHBA-së për t’i shitur Ukrainës 500 raketa interceptuese për sistemet Patriot, duke e cilësuar atë si një zhvillim shumë pozitiv.
Ajo u bëri thirrje aleatëve të ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë dhe kundërshtoi çdo përpjekje për të zbutur kritikat ndaj Kremlinit.
“Pyetja është: nëse nuk flasim për kërcënimin, a do të zhduket ai? Mendoj se jo”, përfundoi Kallas.