
Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, si dhe dy nisma për marrëveshje financiare në sektorin e energjisë dhe të ujërave të zeza.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Projektligji për Rregullatorin e Energjisë përcakton kompetencat, detyrat dhe funksionet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), statusin, organizimin e brendshëm dhe mënyrën e financimit të saj, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, projektligji parasheh monitorimin e tregjeve të energjisë, dhënien e lejeve, certifikimin në këtë sektor, miratimin e tarifave dhe metodologjive tarifore, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit përkatës.
Në të njëjtën mbledhje, ekzekutivi miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, që veprojnë si administratorë të Komisionit Evropian.
Kjo marrëveshje i përket Projektit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Gjithashtu, Qeveria miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim.
Kredia është e destinuar për Projektin e Ndërtimit të Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë.