Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj dhe organizata “Medica Gjakova” kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim të avancimit të shërbimeve shëndetësore të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës.
Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Ferizajt, përmes një njoftimi, ku bëhet e ditur se marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve shëndetësorë.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, synohet që gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës në baza gjinore, përfshirë dhunën seksuale, të kenë qasje në shërbime shëndetësore profesionale, të sigurta dhe gjithëpërfshirëse.
Sipas njoftimit, projekti ISTHP – Programi Ndërkombëtar për Qasje të Ndjeshme ndaj Stresit dhe Traumës në Institucionet Shëndetësore, përfshin ngritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve shëndetësorë, institucionalizimin e shërbimeve për menaxhimin e stresit dhe traumës, si dhe avokimin në nivel kombëtar dhe rrjetëzimin ndërkombëtar.
QKMF-ja në Ferizaj do të mbështesë organizatën “Medica Gjakova” në zhvillimin dhe zbatimin e projektit, në përputhje me dispozitat e përcaktuara në memorandumin e nënshkruar.
Ky bashkëpunim synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt e mbështetës për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë. /Telegrafi/