Kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Vigan Qorrolli, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri strategjike, garanci për paqen dhe drejtim historik i shtetit.
Pas takimit me delegacionin e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Qorrolli ka thënë se siguria e Kosovës, stabiliteti i rajonit dhe paqja evropiane janë të pandashme.
Ai ka vlerësuar se Kosova e ka dëshmuar se është faktor i paqes, partner i besueshëm i botës demokratike dhe shtet që ndan të njëjtat vlera me NATO-n.
Sipas Qorrollit, anëtarësimi në Aleancë është çështje e sigurisë kombëtare dhe investim në një rend ndërkombëtar ku mbrohet liria, respektohen kufijtë dhe ruhet paqja.
Ai ka shkruar në facebook se anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë synim i përbashkët, i mbështetur në partneritetin me aleatët, duke shtuar se një Kosovë e sigurt e forcon paqen në gjithë rajonin.
Burimi: RTKLive
