Revista serbe Radar në një artikull me titull “Koha është që BIA të shpërbëhet” ka publikuar dokumente të Gjykatës së Lartë në Beograd, të cilat dëshmojnë se Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) kishte vendosur nën masa të mbikëqyrjes së fshehtë studentë, përfaqësues të universiteteve, opozitarë, sindikalistë dhe aktivistë që kritikonin pushtetin e Aleksandar Vuçiqit. Gjykata ka refuzuar vazhdimin e disa prej këtyre masave, me arsyetimin se nuk ishin paraqitur prova për dyshimet e ngritura nga agjencia.
Revista serbe Radar ka publikuar një hulumtim në të cilin pretendon se BIA është përdorur për mbikëqyrjen e fshehtë të kritikëve të pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në artikullin e publikuar sot revista thotë se ka pasur qasje në disa vendime të Gjykatës së Lartë në Beograd, përmes të cilave janë refuzuar kërkesat e BIA-s për vazhdimin e masave të posaçme të mbikëqyrjes ndaj personave të ndryshëm.
Sipas Radar-it, në mesin e personave të mbikëqyrur kanë qenë studentë, përfaqësues të Universitetit të Beogradit, drejtues të opozitës, aktivistë dhe përfaqësues të sindikatave.
Revista thekson se në disa raste gjykata ka konstatuar se nuk ishte paraqitur asnjë provë që do t’i mbështeste dyshimet e BIA-s për përfshirjen e këtyre personave në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë.
Kërkesat për vazhdimin e masave, sipas dokumenteve të publikuara, ishin nënshkruar nga drejtori i BIA-s, Vladimir Orliq.
Radar citon gjithashtu burime të paidentifikuara, sipas të cilave numri i kërkesave të BIA-s për masa të mbikëqyrjes në gjykatat e Serbisë ishte shumë i madh, ndërsa disa masa dyshohet se ishin zbatuar pa autorizim gjyqësor.
Në listën e të mbikëqyrurve edhe opozitarë dhe drejtues universitarë
Në mesin e personave për të cilët revista thotë se ka siguruar dokumente gjyqësore janë Danilo Potpariq, shef i kabinetit të rektorit të Universitetit të Beogradit, Srxhan Milivojeviq, kryetar i Partisë Demokratike, Aleksa Mijuca, përfaqësues i organizatës IT Blokada, dhe Radomir Popoviq, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave të Serbisë.
Sipas dokumenteve të cituara nga revista, ndaj Potpariqit masat e mbikëqyrjes ishin zbatuar për disa muaj gjatë vitit 2026. BIA e kishte akuzuar atë për aktivitete që, sipas saj, cenonin rendin kushtetues të Serbisë, si dhe për veprim në interes të Gjermanisë.
Megjithatë, Gjykata e Lartë në Beograd e kishte refuzuar kërkesën për vazhdimin e masave më 23 tetor, duke konstatuar se nga raportet e paraqitura nuk rezultonte se veprimet e tij ishin të drejtuara kundër sigurisë së Serbisë.
Potpariq ka deklaruar për Radar se nuk është i befasuar që personat nga universiteti ishin objekt i mbikëqyrjes, por se një gjë është të dyshosh për përgjim dhe tjetër të kuptosh se ndaj teje janë zbatuar masa të tilla për gati një vit.
Ai ka mohuar akuzat për veprim në interes të një shteti të huaj dhe ka thënë se nuk ka punuar kundër interesave të Serbisë.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Srxhan Milivojeviq, ishte vendosur nën masa të mbikëqyrjes në janar të vitit 2026. Sipas dokumenteve, BIA kishte kërkuar vazhdimin e tyre një ditë para zgjedhjeve, më 24 tetor, por Gjykata e Lartë e kishte refuzuar kërkesën më 29 tetor.
Në arsyetimin e BIA-s përmendeshin aktivitetet e tij politike, lidhjet me lëvizjen studentore dhe mbështetja për protestat. Agjencia kishte përmendur edhe pretendime për trajnime të tij në Hungari dhe Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe fillimit të viteve 2000, pa paraqitur, sipas raportimit, prova për këto pretendime.
Milivojeviq ka deklaruar se shërbimet e sigurisë prej vitesh janë në funksion të mbijetesës së pushtetit dhe jo të mbrojtjes së qytetarëve.
Ai ka kërkuar që shërbimet e sigurisë të shpërbëhen, duke vlerësuar se janë keqpërdorur kundër qytetarëve.
Në mbikëqyrje edhe aktivistë dhe sindikalistë
Një tjetër rast i përmendur nga Radar është ai i Aleksa Mijucës, përfaqësues i organizatës IT Blokada.
Gjykata e kishte miratuar fillimisht mbikëqyrjen ndaj tij më 30 prill 2026 dhe e kishte vazhduar më 27 korrik. Megjithatë, kërkesa e re e BIA-s për vazhdimin e masave ishte refuzuar më 28 tetor.
Në dokumentet e agjencisë, Mijuca përshkruhej si një nga anëtarët kryesorë të organizatës që siguronte mbështetje financiare, logjistike dhe organizative për aktivitetet e lëvizjes studentore.
Ai ka deklaruar se organizata e tij kishte vepruar gjatë gjithë kohës në përputhje me ligjin dhe se vendimi i gjykatës e konfirmonte mungesën e bazës për vazhdimin e mbikëqyrjes.
Edhe Radomir Popoviq, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave të Serbisë, ishte vendosur nën masa të posaçme të mbikëqyrjes gjatë vitit 2026.
Sipas dokumenteve të publikuara, drejtori i BIA-s, Vladimir Orliq, e kishte arsyetuar kërkesën për vazhdimin e masave me pretendimin se Popoviq po përdorte ndikimin e tij në ndërmarrje dhe organizimin sindikal për të ushtruar presion ndaj institucioneve dhe drejtuesve të kompanisë përmes grevave dhe ndërprerjes së punës.
Në kërkesë ishte përmendur edhe kontakti i tij me mediat e pavarura.
Popoviq ka deklaruar se ishte vënë nën mbikëqyrje për shkak të denoncimit të parregullsive në Hekurudhat e Serbisë dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.
Përgjimi i prokurorit që hetonte rastin “Streha”
Hulumtimi i Radar-it përfshin edhe rastin e prokurorit të Prokurorisë për Krim të Organizuar, Aleksandar Barac, i cili ishte i angazhuar në hetimin e rastit “Streha”, lidhur me shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Sipas një dokumenti të BIA-s, të nënshkruar nga drejtori Vladimir Orliq, ndaj Baracit ishin zbatuar masa të mbikëqyrjes që nga 9 prilli 2026.
Në dokumentin e dërguar në Gjykatën e Lartë në Beograd thuhej se nga të dhënat e mbledhura nuk rezultonte se prokurori ishte përfshirë në veprën penale të spiunazhit dhe se nuk kishte nevojë për vazhdimin e masave.
Sipas Radar-it, masat ndaj tij ishin vazhduar disa herë, përfshirë edhe më 7 tetor 2026.
Revista pretendon se mbikëqyrja e komunikimeve të prokurorëve të kësaj prokurorie kishte bërë që në praktikë të mbikëqyrej një pjesë shumë më e gjerë e institucionit.
Radar: Përmasat e keqpërdorimit ende nuk janë zbuluar
Në hulumtim thuhet se masat e mbikëqyrjes në disa raste mund të kenë përfshirë edhe persona të tjerë, përmes numrave të telefonit dhe lokacioneve të tyre të përfshira në kërkesat për përgjim të personave të caktuar.
Radar thekson gjithashtu se në mesin e personave të mbikëqyrur kanë qenë gazetarë, përfshirë edhe anëtarë të redaksisë së saj, si dhe studentë, profesorë dhe aktivistë.
Sipas Radar-it, janë përdorur edhe programe për përgjim, përfshirë Pegasus, ndërsa përmendet edhe instalimi i pajisjeve për përgjim dhe incizim në amfiteatrin e Fakultetit Juridik në Beograd.
Revista e lidh këtë situatë me periudhën e drejtimit të BIA-s nga kuadro të Partisë Progresive Serbe, duke përmendur ish-drejtorët Bratislav Gashiq dhe Aleksandar Vulin, si dhe drejtorin aktual Vladimir Orliq.
Në përfundim të hulumtimit, Radar vlerëson se përmasat e keqpërdorimit të shërbimit sekret në kohën e pushtetit të SNS-së mund të zbulohen vetëm në të ardhmen.
Burimi: RTKLive
