Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga Brukseli lidhur me incidentin e ndodhur gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku u interpretua një këngë nacionaliste serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.
Në një deklarim nga Brukseli, Rama tha se ishte i pranishëm në forum dhe se ngjarja e kishte shokuar, duke bërë që ai të largohej menjëherë nga salla.
Ai tregoi se fillimisht ishte krijuar një atmosferë pozitive gjatë aktivitetit, i cili ishte përqendruar në çështjet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa hapja ishte shoqëruar me një moment emocional nga një nënë e Srebrenicës.
Sipas Ramës, orkestra e angazhuar për aktivitetin kishte për detyrë të interpretonte këngë nga vendet kandidate dhe ato të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së.
Ai tha se pas interpretimit të këngëve për disa vende, kur erdhi radha e Kosovës, në ekran u shfaq titulli i një kënge me përmbajtje problematike, ndërsa u interpretua vetëm pjesa instrumentale.
“Kur shkojmë në Kosovë, u shfaq titulli i këngës që ishte shumë problematik dhe më pas ishte vetëm instrumental. Domethënë, kishte qenë aksidentale, ai i kishte kënduar të gjitha dhe këtë këngë do ta kishte kënduar pa problem, tekstin e kishte, pasi nuk e kishte problem të këndonte serbisht, kroatisht, boshnjakisht e të tjera”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se në sallë ishte krijuar një atmosferë e zymtë dhe se kishte vërejtur reagimin e pjesëmarrësve shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.
“Unë u shokova, dola menjëherë jashtë, e lashë sallën”, tha Rama, duke shtuar se gjatë largimit kishte kërkuar të dinte se kush e kishte përzgjedhur këngën dhe kush ishte përgjegjës për këtë.
Rama tha se, sipas informacioneve që kishte marrë, edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kishte kuptuar në atë moment se çfarë kishte ndodhur, pasi e njihte gjuhën serbe dhe kishte parë titullin e këngës.
Megjithatë, ai theksoi se nuk e dinte nëse incidenti ishte i koordinuar me të apo nëse ishte organizuar nga dikush tjetër.
Kryeministri shqiptar e cilësoi veçanërisht problematike mënyrën se si ishte trajtuar Kosova në këtë aktivitet, duke theksuar se ngjarja duhet të adresohet përtej reagimeve publike, edhe në nivel diplomatik.
Ai shprehu shqetësimin se përzgjedhja e këngës mund të ishte bërë për të kënaqur një grup studentësh serbë që ndodheshin në sallë dhe që, sipas tij, të nesërmen kishin një hapësirë të veçantë prej 15 minutash për t’iu drejtuar audiencës së forumit.
Rama ngriti gjithashtu mundësinë që përzgjedhja të ishte bërë nga dikush brenda Komisionit Evropian, me synimin për të riparuar apo përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë.
“Nëse këtë e ka bërë Komisioni apo dikush brenda Komisionit për të tentuar të rikthejë apo të riparojë marrëdhëniet me Serbinë, është një hap politik tepër i dëmshëm për BE-në, por edhe për Kosovën dhe rajonin”, u shpreh ai.
Duke iu referuar përmbajtjes së këngës dhe kontekstit politik në Serbi, Rama tha se incidenti nuk mund të shihet si një çështje e parëndësishme.
Ai përmendi edhe glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq në Serbi, duke argumentuar se interpretimi i këngës në fjalë përcolli një qasje problematike ndaj Kosovës.
Në fund, Rama tha se tashmë po shqyrtonte nëse duhej të merrte pjesë në panelin e së nesërmes, i cili do t’i kushtohet ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimit, apo ta shfrytëzonte atë platformë me pjesëmarrje të diplomatëve dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së për ta adresuar incidentin.
Ai theksoi se reagimet publike nuk janë të mjaftueshme dhe se rasti kërkon trajtim në nivel diplomatik./Telegrafi.