Rama paralajmëron kufizime për dhunuesit

Rama paralajmëron kufizime për dhunuesit

Written by

in

Sipas Ramës, regjistri do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat identifikuese të personave të referuar ose nën hetim për vepra të tilla penale.

Kreu i qeverisë shqiptare bëri të ditur se, në bazë të këtij regjistri, Policia Kufitare dhe strukturat e Migracionit do të mund të zbatojnë masat e parashikuara me ligj për të penguar largimin nga vendi të personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, arrestimit apo vuajtjes së dënimit.

Rama njoftoi gjithashtu se vendimi parashikon informimin e autoriteteve të huaja në vendet ku udhëtojnë personat e regjistruar, si dhe të strukturave akomoduese dhe kompanive të transportit ajror, detar e hekurudhor.

Duke iu referuar protestave të dhunshme, kryeministri lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për personat që përfshihen në akte të tilla.

“Kush do të dhunojë në Shqipëri do ta ketë të vështirë të rikthehet apo të qëndrojë i qetë në Europë pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë”, deklaroi Rama.

Ai përmendi edhe personat që, sipas tij, kishin ardhur nga Spanja për të marrë pjesë në protestat e dhunshme, duke i cilësuar si “mercenarë të paguar”.

Regjistri elektronik është një nga gjashtë instrumentet e paketës së re kundër dhunës dhe anarkisë urbane. Paketa përfshin gjithashtu masa për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara, ndryshime në ligjin për tubimet, Kodin e Etikës së mësuesve dhe propozime për ndryshime në Kodin Penal.

Sipas Ramës, synimi i këtyre masave është mbrojtja e protestave paqësore dhe ndëshkimi i dhunës, vandalizmit dhe dëmtimit të pronës publike e private.

Burimi: RTKLive