Rama pas protestave të dhunshme në Tiranë: Do të mbahet përgjegjësi, e ardhmja u përket studentëve

Rama pas protestave të dhunshme në Tiranë: Do të mbahet përgjegjësi, e ardhmja u përket studentëve

Written by

in

Rama pas protestave të dhunshme në Tiranë: Do të mbahet përgjegjësi, e ardhmja u përket studentëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga godina e dëmtuar nga zjarri e Kolegjit të Europës në Tiranë, pas akteve të dhunës gjatë protestës, duke dënuar dëmtimin e institucionit dhe duke akuzuar opozitën se po përpiqet të pengojë rrugëtimin europian të vendit.

Përmes një mesazhi nga ambientet e godinës, Rama theksoi se studentët përfaqësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe se dhuna nuk mund të përfaqësojë aspiratat e tyre.

“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së bashkuar, që e çelën në Shqipëri së bashku udhëheqësit europianë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë kurrë duart e studentëve”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se studentët janë gjithmonë të mirëpritur dhe se qeveria është e gatshme të ulet me ta për të diskutuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje për çështjet që kërkojnë vëmendje.

“Studentët janë e ardhmja, që shohin larg dhe duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri drejtoi akuza ndaj opozitës, duke pretenduar se ajo po synon ta largojë Shqipërinë nga rruga drejt Bashkimit Europian përmes akteve të dhunës.

Sipas tij, këto veprime synojnë ta rikthejnë vendin në një gjendje të mëparshme, nga e cila, siç u shpreh, Shqipëria është larguar gjatë viteve të fundit.

“Janë duart e atyre që përpiqen të ulin poshtë Shqipërinë, janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarre e hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet kurrë. Kërkon ta rikthejë Shqipërinë në humnerën nga ku ne të gjithë së bashku e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve në breza, BE-së”, u shpreh Rama.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rama pas protestave të dhunshme në Tiranë: Do të mbahet përgjegjësi, e ardhmja u përket studentëve appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali