Rama pas protestës: Është dora e vjetër që e ka ndjekur Shqipërinë prej shekujsh

Rama pas protestës: Është dora e vjetër që e ka ndjekur Shqipërinë prej shekujsh

Written by

in

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së së enjtes në Tiranë, duke u ndalur te një prej kioskave të djegura në kryeqytet.

Nga vendi i ngjarjes, Rama tha se pas bizneseve të vogla që janë dëmtuar qëndrojnë mundi, djersa dhe sakrifica e familjeve që përpiqen të sigurojnë të ardhurat për jetesë.

“Kjo është gërmadha e jetës, e punës, e mundit, djersës, ëndrrave e shpresës së një familjeje të zakonshme”, u shpreh Rama.

Kreu i Qeverisë u dërgoi mesazh sipërmarrësve të vegjël që kanë pësuar dëme nga protesta, duke u premtuar mbështetje pas përfundimit të situatës së tensionuar.

“Dua t’u them atyre që sot janë me lot në sy para gërmadhave të ngjashme dhe që jetojnë me një sipërmarrje të vogël në Tiranë se nuk janë vetëm. Sapo kjo flakë të kalojë, do të jemi aty të gjithë bashkë”, deklaroi ai.

Rama përmendi edhe tërmetin e rëndë që goditi Shqipërinë, duke thënë se vendi arriti të përballonte pasojat dhe të rindërtonte shtëpitë e dëmtuara përmes bashkëpunimit.

Ai kundërshtoi gjithashtu lidhjen e protestës me studentët, duke argumentuar se djegia e bizneseve dhe dëmtimi i pronës nuk përfaqësojnë shqetësimet e tyre.

“Kjo s’ka lidhje fare me studentët. Kjo flakë nuk është flakë studentore”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi situatën si një “pengmarrje të qytetit me maska”, ndërsa akuzoi opozitën se qëndron pas kësaj mënyre të protestimit dhe se po e përdor atë për qëllime politike.

Protesta e së enjtes në Tiranë u shoqërua me dëmtime të pronës publike dhe private, djegie të kioskave e koshave të mbeturinave, si dhe përplasje ndërmjet protestuesve dhe policisë, e cila përdori ujë dhe gaz lotsjellës.

Burimi: Dukagjini