
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se qëllimi i protestave të fundit është destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës së Shqipërisë, duke e kthyer atë pas në të kaluarën.
Ai ka pretenduar se pas protestave qëndrojnë krimi i organizuar dhe faktorë të huaj, ndërsa ka kritikuar edhe mediat për mënyrën se si kanë raportuar për dhunën.
“Qëllimi është shumë i qartë: destabilizim i vendit dhe devijim i rrugës sonë, duke na kthyer pas në të shkuarën”, ka thënë Rama të shtunën në një konferencë për media, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo.
Gjatë konferencës, kreu i qeverisë shqiptare ka kritikuar mediat, duke i akuzuar për relativizim të dhunës në emër të studentëve.
“Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste që të gjithë do t’i bënte të reflektonin dhe relativizimi i mëtejshëm i dhunës gjithnjë në emër të studentëve”, ka thënë ai.
Rama ka bërë të ditur gjithashtu se Shqipëria është në kontakt të vazhdueshëm me Italinë dhe Francën për zhvillimet që, sipas tij, lidhen me veprimtarinë e ANTIFA-s.
“Njëkohësisht, në të tria vendet tona, flaka e terrorit urban të ANTIFA-s është shfaqur me forcën e vet të verbër”, ka deklaruar Rama.
Megjithatë, ai ka pranuar se në Shqipëri ka probleme që kërkojnë adresim, por ka theksuar se dhuna nuk mund të jetë mënyrë e pranueshme për të shprehur pakënaqësitë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali