Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas plagosjes së një protestuesi nga Elbasani gjatë protestës së fundit në Tiranë, duke thënë se është marrë personalisht me sigurimin e trajtimit të tij mjekësor në Itali.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka shprehur keqardhje për lëndimin e të riut, por ka kritikuar organizatorët dhe nxitësit e dhunës, duke i bërë përgjegjës për pasojat që mund të sjellin protestat e dhunshme.
“Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur se është angazhuar për sigurimin e trajtimit të të riut në një spital në Itali, si dhe për transportin e tij me avion mjekësor.
“Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor”, ka deklaruar kryeministri.
Në reagimin e tij, Rama ka kritikuar ata që, sipas tij, po e përdorin plagosjen e të riut për të nxitur më tej tensionet politike.
“Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit”, ka shkruar Rama, duke iu drejtuar atyre që i cilëson si nxitës të dhunës.
Më tej, ai ka akuzuar kundërshtarët e tij se po e shfrytëzojnë rastin për të nxitur urrejtje dhe përplasje.
“Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend e ky popull sheh dritë!”, ka shkruar ai.
Rama ka pretenduar gjithashtu se në protestat e dhunshme ka individë që, sipas tij, nxisin dhe financojnë pjesëmarrjen në akte të dhunshme, përfshirë edhe të mitur.
Në fund të reagimit, kryeministri ka deklaruar se, sipas tij, nxitësit e dhunës nuk do të arrijnë qëllimet e tyre.
Reagimi i kryeministrit vjen pas protestës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje dhe akte dhune. Rama e ka përdorur rastin për të përsëritur thirrjen kundër dhunës, ndërsa ka drejtuar akuza ndaj atyre që i konsideron përgjegjës për nxitjen e saj. /Telegrafi/